Tërmeti me magnitudë 6 tronditi provincat Kunar dhe Nangarhar, duke shkaktuar mbi 800 të vdekur dhe mijëra të plagosur, ndërsa fshatra të tëra u shuan.
Autoritetet afgane kanë konfirmuar se të paktën 812 persona kanë humbur jetën dhe mbi 3,000 të tjerë janë plagosur pas një tërmeti shkatërrues që goditi pjesën lindore të vendit.
Goditja sizmike me magnitudë 6 u regjistrua pak para mesnatës së së dielës, duke përfshirë provincat Kunar dhe Nangarhar. Sipas të dhënave zyrtare, epiqendra ishte në një thellësi prej vetëm 8 kilometrash, gjë që e rriti fuqinë shkatërruese të saj.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Sharafat Zaman, deklaroi se operacionet e kërkim-shpëtimit po vijojnë në terren, ndërsa dhjetëra fshatra janë rrafshuar nga tërmeti.
Ministria e Mbrojtjes ka dislokuar 30 mjekë dhe ka transportuar 800 kilogramë ilaçe drejt provincës Kunar për të ndihmuar spitalet lokale, të cilat janë mbingarkuar nga numri i madh i të plagosurve.
Situata mbetet kritike, ndërsa ekipet e shpëtimit përballen me terren të vështirë dhe mungesë infrastrukture, duke bërë që çdo orë të jetë vendimtare për të shpëtuar jetë.