Nga Japonia në Kili e deri në Nepal, periudha 2010–2025 është shënuar nga tërmete të fuqishme që lanë mijëra viktima dhe shkatërrime të mëdha.
Në harkun kohor të 15 viteve të fundit, disa prej tërmeteve më të fuqishme kanë goditur botën, duke shkaktuar pasoja dramatike si në jetët njerëzore ashtu edhe në infrastrukturë. Japonia, Kili dhe Indonezia renditen mes vendeve më të prekura, ndërsa Alaska, megjithëse është një zonë me aktivitet të lartë sizmik, nuk pati tërmete të përmasave më të larta në këtë periudhë.
Në krye të listës qëndron tërmeti i fuqishëm i vitit 2011 në Japoni, me magnitudë 9.1 ballë. Ai goditi brigjet e Honshu-t më 11 mars, duke shkaktuar një tsunami shkatërrimtar, një katastrofë bërthamore dhe mijëra viktima.
Një vit më herët, në shkurt 2010, Kili u godit nga një tërmet 8.8 ballë në brigjet e Bio-Bio-s. Pas tij u formua një cunami që mori mbi 500 jetë njerëzish, duke e renditur mes fatkeqësive më të rënda të rajonit.
Në prill të vitit 2012, një tjetër tërmet i madh, me magnitudë 8.6 ballë, goditi në brigjet veriore të Sumatras në Indonezi. Ngjarja shkaktoi panik të gjerë, megjithëse numri i viktimave ishte më i kufizuar krahasuar me rastet e tjera.
Rusia u përfshi këtë vit në listën e zezë, kur më 29 korrik 2025 gadishulli Kamçatka u godit nga një tërmet 8.8 ballë. Vetëm pak ditë më parë, më 20 korrik, i njëjti rajon kishte përjetuar një tjetër tërmet të fuqishëm prej 7.4 ballësh.
Edhe Alaska u trondit në verën e 2025-s. Më 16 korrik, një tërmet 7.3 ballë u regjistrua në jug të Sand Point. Dy vjet më parë, më 2023, i njëjti rajon kishte përjetuar një lëkundje tjetër prej 7.2 ballësh, si pasojë e lëvizjes së pllakave tektonike.
Një nga ngjarjet më të rënda të dekadës ishte tërmeti i 6 shkurtit 2023 në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë. Me magnitudë 7.8 ballë, ai shkaktoi shkatërrime masive dhe mijëra viktima në të dy vendet.
Në vitin 2015, Nepali u trondit nga një tërmet 7.8 ballë pranë kryeqytetit Kathmandu. Pasojat ishin tragjike, me rrëshqitje të shumta toke që shkatërruan fshatra të tëra dhe morën jetën e mijëra njerëzve.
Një ndër ngjarjet më të rënda humanitare ishte tërmeti i Haitit më 13 janar 2010. Me magnitudë 7.0 ballë, ai rrafshoi kryeqytetin Port-au-Prince dhe shkaktoi mbi 300 mijë viktima sipas vlerësimeve zyrtare.
Këto ngjarje dëshmojnë fuqinë e pakontrollueshme të natyrës dhe rrezikun e vazhdueshëm që kërcënon rajonet sizmike në mbarë globin. Tërmetet e 15 viteve të fundit mbeten kujtesë e dhimbshme për nevojën e përgatitjes dhe sigurisë më të mirë në zonat e rrezikuara.