Policia Kufitare e Korçës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, ka parandalua tentativën për trafikim të rreth 32.3 kilogramë kanabis drejt Greqisë.
Në orët e vona të mbrëmjes, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë dhe patrullat e Policisë Kufitare, gjatë patrullimit në vijën kufitare me Greqinë, kanë vënë re dy shtetas të dyshuar që transportonin dy çanta. Ky veprim është realizuar mbi fshatrat Vidohovë dhe Ponçarë të Devollit, në zonën midis piramidave 43 dhe 44. Pas njoftimit për ndjekjen e tyre, shërbimet e Policisë Kufitare kanë nisur ndjekjen e dy shtetasve.
Kur këta persona kanë kuptuar praninë e Policisë, ata kanë braktisur çantat dhe janë larguar drejt thellësisë së kufirit, ndërkohë që janë njoftuar edhe shërbimet e Policisë Kufitare Greke. Nga verifikimi i çantave, grupi hetimor ka konfirmuar se brenda tyre ndodheshin 20 pako me lëndë narkotike kanabis, që përbënin një total prej 32.3 kilogramësh.
Pas këtij zhvillimi, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, ka bërë të mundur identifikimin e njërit prej personave të dyshuar, por për arsye hetimi, identiteti i tij nuk është bërë publik.
Policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit tjetër dhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë tentativë për trafikim të narkotikëve. Çështja është dërguar në Prokurorinë e Korçës për veprime të mëtejshme, ndërkohë që hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vazhdojnë.