Tensionet SHBA–Venezuelë rriten: Trump autorizon CIA-n për operacione të fshehta kundër regjimit të Maduros

Sipas një raporti të New York Times, Presidenti amerikan Donald Trump ka dhënë autorizim për operacione sekrete të CIA-s brenda Venezuelës, në një kohë kur marrëdhëniet me regjimin e Nicolas Maduros po përshkallëzohen dhe opsionet ushtarake po mbeten gjithnjë e më të hapura.

Një raport i publikuar nga New York Times ka trazuar skenën politike ndërkombëtare, duke zbuluar se Presidenti Donald Trump ka autorizuar CIA-n të kryejë operacione të fshehta në territorin venezuelian. Kjo lëvizje vjen në një moment kur tensionet mes dy vendeve janë thelluar, ndërsa SHBA ka dislokuar aeroplanmbajtësen gjigante USS Gerald Ford në Karaibe.

Sipas burimeve të cituara nga gazeta, operacionet e autorizuara mund të shërbejnë si paradhomë e një fushate të mundshme ushtarake ndaj Venezuelës, duke rritur rrezikun e një konflikti të hapur. Burimet theksojnë se negociatat sekrete mes administratës Trump dhe qeverisë venezueliane kanë dështuar, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike.

Raporti zbulon gjithashtu se Nicolas Maduro ka shprehur gatishmërinë për të dhënë dorëheqjen pas një periudhe tranzicioni prej dy deri në tre vjetësh. Ai ka ofruar madje që kompanitë amerikane të energjisë të kenë akses të drejtpërdrejtë në rezervat e mëdha të naftës që zotëron Venezuela. Por Shtëpia e Bardhë ka refuzuar këto propozime, duke ashpërsuar qëndrimin politik ndaj regjimit të Karakasit.

Trump e ka ngritur retorikën në një nivel edhe më të lartë, duke e etiketu­ar Maduros si “terrorist” dhe duke mos përjashtuar vendosjen e trupave amerikane në Venezuelë. “Nuk po përjashtoj asgjë,” ka deklaruar ai, duke akuzuar regjimin se ka dërguar “qindra mijëra” të dënuar nga burgjet venezueliane drejt SHBA-ve.

Ndërkohë, SHBA ka ndërmarrë operacione të shumta kundër trafikut të drogës në ujërat e Amerikës Qendrore dhe Jugore. Që prej muajit shtator janë regjistruar të paktën 21 sulme vdekjeprurëse kundër anijeve të dyshuara, ndërsa administrata amerikane i konsideron kartelët e drogës si struktura të reja terroriste.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, njoftoi se rrjeti i dyshuar kriminal i lidhur me regjimin venezuelian, i njohur si “Cartel de los Soles”, pritet të shpallet zyrtarisht organizatë e huaj terroriste. Kjo do të shënonte një përshkallëzim të ri në marrëdhëniet e acaruara mes dy vendeve.

I pyetur nëse është i gatshëm të dialogojë me Maduron, Trump u përgjigj shkurt: “Po, ndoshta do të flisja me të. Flas me të gjithë.”

Sipas administratës amerikane, SHBA është tashmë në “konflikt të armatosur” me kartelet e drogës që lidhen me regjimin venezuelian, të cilat i cilëson si grupe terroriste me shtrirje ndërkombëtare.

Tensionet mes SHBA-së dhe Venezuelës pritet të vazhdojnë të rriten, ndërsa autorizimi i operacioneve sekrete të CIA-s sinjalizon një fazë të re të konfrontimit politik, diplomatik dhe të mundshëm ushtarak.

Ndaj Postimin: