Tensionet rriten mes Vuçiçit dhe federatës: vendimi për stadiumin nxit polemika në Serbi

Vuçiçi kundërshton vendimin për ndeshjet në Beograd, duke e cilësuar si dorëzim ndaj presioneve të huaja dhe përçmim ndaj qytetarëve të Leskovacit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka dalë hapur kundër Federatës së Futbollit të Serbisë (FSS) për ndryshimin e vendit ku do të zhvillohen dy ndeshje të rëndësishme të Kombëtares: ajo me Anglinë më 9 shtator dhe me Shqipërinë më 11 tetor. Fillimisht të parashikuara për në Leskovac, të dyja ndeshjet janë zhvendosur në Beograd, një vendim që Vuçiç e cilësoi si të papranueshëm dhe të diktuar nga presioni diplomatik.

Sipas tij, FSS nuk ishte në gjendje të përballonte as pesë minuta presion nga Ambasada Britanike dhe faktorë të tjerë të jashtëm. Ai deklaroi se pas vetëm dy ditësh ndikimi diplomatik, u mor vendimi për të ndryshuar stadiumin, duke lënë mënjanë vendimin fillestar për të luajtur në Leskovac.

“Pse njerëzit e Leskovacit vlejnë më pak se ata të Beogradit? Kjo është e padrejtë. Madje, nëse luhet në Marakana, dyshoj se do të ketë më shumë se 300 tifozë, sepse Beogradi nuk ka më atë emocion,” u shpreh Vuçiç me ton kritik.

Presidenti shtoi se ai vetë kishte refuzuar mbi dhjetë kërkesa nga ambasadat për ndryshimin e qytetit ku do të zhvillohej përballja me Anglinë, duke theksuar se nuk kishte ndërhyrë në punët e federatës, por e konsideroi të dëmshme mënyrën se si u menaxhua situata.

Pas zhvendosjes së ndeshjes ndaj Anglisë në stadiumin “Rajko Mitić” të Crvena Zvezdës në Beograd, FSS vendosi që edhe ndeshja e tetorit ndaj Shqipërisë të luhet në të njëjtin impiant me kapacitet rreth 52 mijë vende.

Në të kaluarën, Leskovac ka pritur ndeshje ndërkombëtare, përfshirë sfidën kundër Andorrës, dhe është parashikuar që sërish të presë ndeshjen ndaj Letonisë në muajin nëntor, duke treguar se stadiumi i këtij qyteti mbetet ende aktiv për sfidat e kombëtares.

Ndaj Postimin: