Policia e Tiranës ka vënë në pranga tre persona pas akteve të dhunës që shpërthyen në derbin mes Partizanit dhe Tiranës, i zhvilluar një ditë më parë në stadiumin “Arena e Demave” në Tufinë.
Të arrestuarit, të identifikuar si E. I., 26 vjeç, E. V., 31 vjeç dhe L. I., 29 vjeç, akuzohen për “Kundërshtim të punonjësit të policisë”, “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive” dhe “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”.
Ndërkohë, pesë persona të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprat “Prishja e qetësisë publike” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive”.
Mes të proceduarve janë edhe sekretari i përgjithshëm i K.F. Partizani dhe delegati i ndeshjes nga FSHF, të cilët akuzohen për “Mosbindje ndaj urdhrit të policisë së rendit publik” dhe “Shpërdorim detyre”.
Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, masat për sigurinë ishin marrë që më herët, duke vendosur 276 efektivë policie në terren për të menaxhuar fluksin e tifozëve dhe për të shmangur incidentet. Pavarësisht përpjekjeve, tensionet mes tifozëve përpara nisjes së ndeshjes çuan në ndërhyrjen e forcave të sigurisë.
Policia sqaroi gjithashtu se stadiumi “Arena e Demave” nuk plotësonte kushtet e nevojshme të sigurisë për organizimin e një ndeshjeje derbi, një fakt i bërë i ditur paraprakisht për organizatorët. Pavarësisht kësaj, mungesa e masave nga ana e tyre ka përkeqësuar situatën dhe ka rritur rrezikun për incidente.
Ndërsa hetimet vijojnë, Policia e Shtetit ka bërë thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë mes organizatorëve dhe institucioneve për të garantuar sigurinë në eventet sportive dhe për të shmangur përsëritjen e episodeve të dhunës në të ardhmen.