Protesta e sotme e organizuar nga Partia Demokratike është shoqëruar me tensione dhe përplasje në rrugën e Elbasanit, ku situata u përshkallëzua midis policisë dhe protestuesve.
Deputeti i PD-së, Flamur Noka, është përfshirë në një incident të hapur, duke shtyrë disa efektivë policie dhe duke qëlluar njërin prej tyre me grusht.
Përplasjet nisën kur policia po përpiqej të shpërndante protestuesit për të zhbllokuar qarkullimin rrugor. Ky veprim hasi në rezistencë nga deputeti Noka dhe një grup qytetarësh të pranishëm në zonë. Në kulmin e tensionit, Noka iu drejtua njërit prej efektivëve me tone të ashpra: “Nuk të pyes ty, as ministrin tënd, as Edi Ramën. Do më tregosh mua ti?!”, ndërsa një tjetër efektivi i tha prerë: “Mu zhduk!”
Përplasja është përshkallëzuar edhe më tej, por një prej protestuesve tentoi të qetësonte situatën duke i thënë Nokës: “Qetësohu, Flamur!” Kjo ndërhyrje nuk duket se ndikoi menjëherë në zbutjen e tensioneve.
Më herët gjatë protestës, lideri historik i PD-së, Sali Berisha, ishte i pranishëm në këtë pikë, por më pas u largua me një grup të vogël protestuesish drejt Bashkisë së Tiranës. Largimi i tij duket se nuk uli presionin në rrugën e Elbasanit, ku forcat e policisë vijuan të përballen me rezistencën e protestuesve.
Policia, në një deklaratë paraprake, ka theksuar se ndërhyrja kishte për qëllim garantimin e sigurisë publike dhe zhbllokimin e trafikut në një aks të rëndësishëm të qytetit. Megjithatë, tensionet dhe incidentet fizike kanë ngritur shqetësime për përshkallëzimin e situatës gjatë protestave të opozitës.
Partia Demokratike nuk ka reaguar ende zyrtarisht mbi përfshirjen e deputetit Noka në përplasjet e raportuara. Ndërkohë, qytetarët dhe aktorët politikë ndjekin nga afër zhvillimet e mëtejshme, teksa protestat pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.