Para Kuvendit zhvillohet protestë pro familjes, ndërsa deputetë të opozitës i bashkohen tubimit kundër projektligjit për barazinë gjinore që po diskutohet në seancë.
Përpara ambienteve të Kuvendit, është mbajtur sot një protestë nga grupe qytetarësh dhe organizata konservatore që kundërshtojnë projektligjin për barazinë gjinore. Tubimi është zhvilluar paralelisht me seancën plenare ku ky ligj është në rendin e ditës për diskutim.
Protestuesit mbajnë pankarta dhe thirrje në mbrojtje të familjes tradicionale, ndërsa nënvizojnë se nisma ligjore, sipas tyre, cënon vlerat dhe strukturën tradicionale të shoqërisë shqiptare. Ata kërkojnë tërheqjen e projektligjit.
Pjesë e protestës janë bërë edhe disa deputetë të opozitës, përfshirë Sali Berishën, Klevis Balliun, Belind Këlliçin, Tritan Shehun dhe Tedi Blushin. Paraqitja e tyre në protestë është interpretuar nga organizatorët si mbështetje institucionale ndaj kërkesave të tubuesve.
Gjatë protestës ka marrë fjalën edhe pastori Akil Pano, i cili e cilësoi projektligjin si një “trup të huaj” për shoqërinë shqiptare. Sipas tij, nisma ligjore është e imponuar nga struktura dhe fondacione ndërkombëtare.
“Ky është një trup i huaj, një kancer që do të shkatërrojë trupin tonë. Është një projekt i sjellë nga Soros,” deklaroi ai, duke ngjallur ovacione nga pjesëmarrësit.
Ndërkohë në sallën e Kuvendit ka nisur diskutimi parlamentar mbi përmbajtjen dhe amendamentet e projektligjit, ku pritet përplasje mes mazhorancës dhe opozitës. Debatet pritet të zgjasin, pasi çështja ka sjellë ndarje të forta politike dhe shoqërore.
Mazhoranca këmbëngul se projektligji ka për qëllim garantimin e të drejtave të barabarta dhe harmonizimin me standardet evropiane. Opozita ndërkohë deklaron se ligji prek identitetin kulturor dhe strukturën familjare tradicionale.
Protestuesit paralajmërojnë se do të vijojnë tubimet edhe në ditët e ardhshme, derisa nisma të tërhiqet ose të rishikohet në thelb.
Situata konsiderohet e qetë dhe nën monitorimin e forcave të rendit, që janë të pranishme në perimetrin e sigurisë për të shmangur incidente.