SPAK ka dërguar për gjykim ish-kryetarin e Bashkisë Memaliaj, Gjolek Guci, për “Shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera”.
Të akuzuar janë gjithashtu Edmonda Harizi, ish-nënkryetare e Bashkisë, Feta Hoxha, ish-drejtor i Shërbimeve Publike, dhe Bersant Ylli, administrator i të njëjtit subjekt.
Hetimet nisën pas kallëzimit penal të Kontrollit të Lartë të Shtetit më 28 tetor 2024. Procedimi penal u regjistrua më 4 nëntor 2024, duke u fokusuar te tenderi i vitit 2021 për ndërtimin e Ujësjellësit Rajonal, që do të furnizonte disa fshatra të Memaliajt dhe vetë qytetin.
Fondi i projektit kapte vlerën mbi 493 milionë lekë, e ndarë në zëra për ndërtim, montim dhe kolaudim. Dokumentacioni tregoi se vlera e miratuar ishte e njëjtë me kostot e projektit të dhuruar nga kompania “Artreum Generation” sh.p.k., e cila më pas u pranua si nënkontraktore, ndonëse ndodhej në kushtet e konfliktit të interesit.
SPAK ka evidentuar se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, së bashku me titullarin e Bashkisë, kanë krijuar avantazhe të padrejta për operatorë të tretë. Fitues u shpall bashkimi i kompanive “KEG” sh.p.k. & “ED Konstruksion” sh.p.k., pavarësisht mangësive në dokumentacion dhe kapacitetin teknik.