Situata virozale në Sarandë është rënduar pas rënies së temperaturave, duke sjellë një rritje të ndjeshme të paraqitjeve në urgjencën e Spitalit “Petro Nako”. Pacientët paraqiten kryesisht me probleme të rrugëve të frymëmarrjes dhe infeksione sezonale.
Pneumologu Niko Kuri, i cili drejton Repartin e Sëmundjeve të Mushkërive, bën të ditur se ngarkesa me viroza ka filluar që në ditët e para të janarit dhe pritet të vijojë me intensitet edhe gjatë javëve në vazhdim, deri në fillim të muajit shkurt.
Mjekët u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, të mos përdorin medikamente pa këshillë mjekësore dhe të paraqiten në kohë te mjeku i familjes ose te specialistët. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për mbrojtjen e fëmijëve dhe të moshuarve, si dhe për të shmangur mbingarkesën e shërbimit të urgjencës.