Qarku i Elbasanit vijon të ndikohet nga moti i ftohtë, me temperatura shumë të ulëta që në zonat malore kanë zbritur nën -10 gradë Celsius. Kushtet atmosferike kanë sjellë reshje dëbore në disa segmente rrugore, por qarkullimi raportohet i qëndrueshëm.
Në aksin nacional Elbasan–Qafë Thanë janë regjistruar reshje dëbore, ndërsa temperaturat kanë arritur deri në -15 gradë Celsius. Rruga është pastruar dhe trajtuar me kripë, duke mundësuar qarkullim normal të mjeteve.
Në akset Elbasan–Gjinar dhe Elbasan–Tiranë, në segmentin e vjetër nga Krraba, nuk ka prezencë dëbore. Megjithatë, kriposja ka vijuar në pikat e konsideruara problematike për shkak të ngricave.
Sipas të dhënave aktuale, prurjet e lumit Shkumbin dhe përroit të Zaranikës janë ulur dhe nuk paraqesin rrezikshmëri për përmbytje.
Që prej mesditës së ditës së djeshme vijojnë shkarkimet nga hidrocentrali i Banjës në sasinë 290 metra kub për sekondë, ndërsa së bashku me prodhimin, shkarkimi total arrin në 390 metra kub për sekondë. Vendimi për vijimin e mëtejshëm të shkarkimeve pritet të merret në orën 08:00.
Në drejtim të furnizimit me energji elektrike, janë evidentuar probleme në fiderin që furnizon Njësitë Administrative Tunjë, Kushovë dhe Skënderbegas në Bashkinë Gramsh. Autoritetet bëjnë me dije se defektet pritet të zgjidhen gjatë orëve në vijim.