Tre telefona celularë të Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”, janë dërguar për ekspertim në SPAK, pas kontrolleve të kryera në banesën e tij në kuadër të hetimeve për një rast të dyshuar kanosjeje ndaj një gjyqtari.
Sipas informacioneve, Prokuroria e Beratit i ka referuar pajisjet Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar analizë të detajuar të komunikimeve dhe të dhënave që ato mund të përmbajnë.
SPAK ka kërkuar më shumë kohë për të përfunduar ekspertimin teknik të telefonave, çka ka sjellë edhe zgjatjen e afateve të hetimit. Çështja lidhet me një ngjarje të dyshuar të ndodhur në shkurt të vitit 2025, ku gjyqtari Vladimir Cjapi dyshohet se është kanosur.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se, për arsye sigurie, autoritetet kanë marrë në mbrojtje edhe një noter, i cili në këtë rast është denoncuesi, ndërsa më herët dyshohet se ka pasur marrëdhënie shoqërore me Arben Isufajn.
Hetimet janë në vijim dhe pritet që rezultatet e ekspertimit të telefonave të jenë vendimtare për ecurinë e mëtejshme të çështjes.