Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, mbajti sot një konferencë për mediat ku foli për projektbuxhetin e vitit 2025.
Blushi e cilësoi buxhetin e propozuar nga qeveria si “antisocial” dhe ngriti shqetësimin se ky buxhet mund të përfaqësojë “vjedhjen më të madhe në historinë e Shqipërisë.”
Duke u ndalur tek krahasimet me Kosovën, ai theksoi se vendi fqinj, pavarësisht një buxheti 2.3 herë më të vogël se Shqipëria, arrin të rrisë pensionet me 20% dhe pagat me 110 euro. Në Shqipëri, nga ana tjetër, nuk janë parashikuar fonde për indeksim pagash dhe mbështetja për pensionistët është e kufizuar në vetëm 170 lekë.
Blushi kritikoi ashpër qeverinë dhe tha se kjo mazhorancë, përmes buxhetit të vitit 2025, po përgatitet për të bërë një tjetër abuzim masiv me fondet publike, në dëm të qytetarëve. Sipas tij, ky buxhet i propozuar thellon pabarazinë dhe përkeqëson standardin e jetesës për shqiptarët, duke rritur korrupsionin dhe duke i lënë qytetarët pa mbështetjen e nevojshme.
Duke folur për pasojat e këtij buxheti, Blushi shtoi se politika aktuale e qeverisë inkurajon shpopullimin, ndërsa shton korrupsionin, me shifra që, sipas tij, arrijnë në miliarda euro të zhdukur nga fondet publike. Ai theksoi se qeveria nuk i kthen këto fonde për qytetarët në formën e shërbimeve më të mira apo përmes rritjes së pagave dhe pensioneve.
Sipas Blushit, fondet publike po shpërdorohen përmes koncesioneve dhe PPP-ve, duke përfshirë projekte që kanë shkaktuar kosto të mëdha për vendin. Ai e cilësoi këtë buxhet si një “llokmë për oligarkët”, që i lë qytetarët shqiptarë pa mbështetjen e duhur.
Blushi theksoi se ndërsa buxheti i Shqipërisë është 8.2 miliardë euro – rreth 2.3 herë më i lartë se ai i Kosovës – ndihma për qytetarët është shumë më e ulët, dhe kjo ndodh, sipas tij, për shkak të keqmenaxhimit dhe korrupsionit të thellë në qeveri. Ai përmendi faktin se Qeveria e Kosovës ka caktuar një fond për rritjen e pagave për punonjësit publikë dhe për rritjen e pensioneve, ndërsa qeveria shqiptare nuk ka planifikuar asnjë rritje të ndjeshme.
Kosova
Në Kosovë, për vitin e ardhshëm, janë planifikuar 100 milionë euro shtesë për pensionet dhe një rritje e ndihmës për familjet në nevojë. Shqipëria, nga ana tjetër, mbështetja për pensionistët kufizohet në rreth 170 lekë në muaj për çdo pensionist, ndërsa për familjet me ndihmë ekonomike fondet janë ulur.
Në fjalimin e tij, Blushi shprehu shqetësimin se kjo qeveri po e thellon pabarazinë dhe varfërinë, duke neglizhuar shtresat në nevojë, të papunët dhe familjet që mbështeten në ndihmën ekonomike. Sipas tij, këto vendime të qeverisë janë në dëm të interesit publik dhe largojnë çdo shpresë për përmirësim të jetesës.
Në përfundim, Blushi deklaroi se ky buxhet përfaqëson një zgjedhje të vetëdijshme të qeverisë për të shpenzuar më shumë në luks administrativ dhe shpenzime të shtrenjta, ndërsa lë anash mbështetjen e nevojshme për qytetarët e thjeshtë.