“Të zhdukim me acid” – Si u mor peng dhe u dhunua Ilir Topçiu nga grupi i “Duçes”, vëllait të deputetit të PD

Zbardhet dosja penale e ngjarjes së ndodhur në fund të muajit tetor në Bilisht, ku Ilir Topçiu u mor peng dhe më pas u dhunua brutalisht nga Altin Nallbati, alias “Duçja”, vëllai i deputetit të PD, Bledjon Nallbati, dhe dy persona të tjerë, Marsel Buçi dhe Trajan Çeliku.

Për tre personat e proceduar, gjyqtarja e Korçës, Elena Tafa, në datën 4 nëntor 2025 vendosi caktimin e masës së “arrestit me burg” me afat 40-ditor.

Sot bëhen 30 ditë që tre të arrestuarit ndodhen në burg për akuzat e “Heqjes së paligjshme të lirisë”, “Plagosjes së lehtë me dashje” dhe “Kanosjes”, të kryera në bashkëpunim.

Nallbati, Buçi dhe Çeliku aktualisht mbahen në paraburgimin e Drenovës. Ndërkohë, avokatët dhe familjarët e tyre kanë nisur negociatat e pajtimit me denoncuesin Ilir Topçiu, duke i kërkuar të tërheqë kallëzimin penal dhe të firmosë një deklaratë noteriale për “normalizimin e marrëdhënies” me tre të arrestuarit, mes të cilëve vëllai i deputetit Bledjon Nallbati.

Grupi dyshonte se Ilir Topçiu i kishte “tradhtuar” duke dhënë informacion te shefi i krimeve në komisariatin e Bilishtit, çka kishte çuar në arrestimin e Ylli Xhaçkës në fshatin Braçanj, pasi ky i fundit drejtonte mjetin pa patentë.

Për këtë arsye, Trajan Çeliku ka shkuar në fshatin Vishocicë, duke marrë me makinë Ilir Topçiun (i cili ndodhej në “arrest shtëpie”) me pretendimin se do ta ballafaqonte me shefin e krimeve të policisë.

Në fakt, gjithçka ishte një kurth: Topçiu nuk u çua në komisariatin e Bilishtit, por në magazinën e Altin Nallbatit, alias “Duçja”, i konsideruar nga policia e Korçës si person që drejton një grupim të përfshirë në trafikimin e klandestinëve sirianë, trafikun e drogës në kufirin e gjelbër me Greqinë dhe shpërndarjen e saj në zonë.

Sipas dosjes, synimi i “Duçes” ka qenë të krijojë frikë dhe terror në zonën e Korçës dhe Devollit.

Ilir Topçiu është rrahur brutalisht nga tre personat, deri sa ka humbur ndjenjat. Në dëshminë e tij, ai ka treguar se kur është përmendur, Marsel Buçi i ka fikur cigaren në ballë dhe e ka kërcënuar: “…do të të vras, do të të zhduk me acid…”.

Konstatimet e ekspertimit mjeko-ligjor

Tek i dëmtuari janë konstatuar:

  • një hematomë e syrit,
  • ekimoza në kokë, gjoks dhe bark,
  • dy plagë combustioni (djegie) në ballë, të çara nga një cigare e ndezur.

Dëmtimet janë shkaktuar me mjete të forta dhe me energji të lartë.

Dëshmia e Ilir Topçiut në polici

Sipas dosjes hetimore, më 30 tetor 2025, rreth orës 22:50, Ilir Topçiu ka bërë denoncim para oficerit të policisë gjyqësore, duke deklaruar:

“Ditën e diel ose hënë më ka marrë një shok im në telefon, në Messenger, Trajan Çeliku. Gjatë bisedës më tha që unë i kisha shitur te shefi i krimeve informacion për Ylli Xhaxhkën që ishte proceduar penalisht. Më tha të dilja te sheshi i fshatit për t’u sqaruar bashkë me shefin e policisë…”

Ai tregon se është mashtruar nga Çeliku:

“…më mori me makinë për të më ballafaquar me shefin e krimeve. Gjatë rrugës diskutuam për çështjen e spiunimit. Por ai më mashtruar; nuk më çoi tek policia, por tek lagjia mbrapa karburantit ‘Gega Oil’, në ambientet e Altin Nallbatit. Sapo zbrita nga makina, Altin Nallbati më goditi me grusht dhe më qëlloi me shkelma pa fund…”

Më tej ka treguar:

“…mu errën sytë dhe rashë pa ndjenja nga dhimbjet. Kur u përmenda, Marseli ma vendosi cigaren në ballë dhe ma fiku. Më tha: ‘Herën tjetër do të djeg me acid’. U largova duke çaluar, me dhimbje të mëdha, dhe nga frika nuk i tregova askujt për tre ditë…”

Ai thekson se të tre e kanë goditur, sharë dhe kërcënuar në ambientet e biznesit të Altin Nallbatit.

Dëshmia e nënës së viktimës

Policia ka marrë në pyetje edhe nënën e Ilir Topçiut, Lefterije Topçiun, e cila ka deklaruar:

“…rreth pasdites fola me djalin që të vinte të hanim. Ai më tha që nuk donte. Kur hyra në dhomë, pashë që kishte syrin e djathtë të nxirë. Nuk po më tregonte çfarë kishte ndodhur. Më pas erdhi policia dhe ai më tregoi gjithçka. Këto ditë ka qenë shumë keq, shtrirë në krevat, me vështirësi për të marrë frymë. Kam frikë se mos ma vrasin djalin. Ai nuk ka bërë asnjë faj…”

Ndaj Postimin: