Në seancën e radhës gjyqësore për dosjen Plumbi i Artë, dëshmitari Zylyf Hoxha rrëfeu para trupit gjykues momentet e ekzekutimit në dhjetor 2019 të 26-vjeçarit Andi Zylyfi, i njohur me nofkën “Bobi”, ndërsa u plagos miku i tij Ardit Uruçi.
Dëshmia e parë
Hoxha tregoi se mbrëmjen e 19 dhjetorit 2019 ndodhej në lokalin e fshatit bashkë me disa banorë të tjerë. Pak minuta para të shtënave, disa bashkëfshatarë që ishin jashtë lokalit hynë me nxitim brenda dhe njoftuan se kishin dëgjuar të shtëna me armë.
“Jam thirrur në vitin 2019 në polici për një ngjarje të ndodhur në fshatin Përparim. Disa bashkëfshatarë që ishin jashtë lokalit u futën brenda, kuptuan që ishin të shtëna. Unë lajmërova policinë dhe i thashë se dëgjuam të shtëna. Këto deklarime i kam thënë edhe përpara komisariatit Peqin dhe në Elbasan.”
Sipas Hoxhës, të pranishmit në lokal u shtrinë menjëherë në tokë nga frika, pa mundur të shikonin qartë çfarë po ndodhte jashtë. Ndërkohë, Zylyfi dhe Ardit Uruçi, të cilët kishin qenë pak më herët në lokal ku kishin marrë ujë, kishin dalë jashtë pak minuta para atentatit.
Kush ishte në lokal?
Ai sqaroi se në lokal ndodheshin edhe kushërinjtë e viktimës, mes tyre Edison Zylyfi, si dhe disa të afërm të Uruçit. Në momentin e atentatit, dëshmitari ka thënë se ka dëgjuar breshëri plumbash.
“Në këtë ngjarje mbeti i vrarë ‘Bobi’, Andi Zylyfi. Ne nuk e pamë dhe nuk e verifikuam ishte vrarë apo jo, u shtrimë të gjithë në tokë. Përveç tij, u plagos njëri me mbiemrin Uruçi. Ishin të njohur për ne, fshatarët tanë. Jemi fqinj, komshinj. ‘Bobin’ e shihja te ai lokali, është kafja e fshatit. Aty te lokali ishin edhe kushërinjtë e tij, Edison Zylyfi, Uruçi ishte aty, ishin disa kushërinj të tij. Ai erdhi, na respektoi, pastaj mori një shishe ujë dhe doli jashtë lokalit bashkë me Uruçin (i referohet Ardit Uruçit). Nuk e di kush gjuajti me armë, ne u trembëm, u larguam nga frika. Sa dolën jashtë lokalit, jo më shumë se 10 minuta, dëgjuam të shtëna. Dëgjuam që janë të plagosur, pastaj i morën familjarët për t’i çuar në spital. Të shtënat ishin breshëri.”
Akuza
SPAK akuzon vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja si porositës të vrasjes së Andi Zylyfit.
26-vjeçari ishte djali i hallës së Endri Alibej, ku ky i fundit u ekzekutua po nga vëllezërit Çopja në vitin 2018.
Nga të shtënat me breshëri mbeti i plagosur rëndë edhe miku i tij Ardit Uruçi, 23 vjeç, banues në fshatin Përparim. Atentati ndaj dy të rinjve u krye teksa ishin së bashku në një makinë tip Golf.


