Të shtëna me armë zjarri në ajër pas një konflikti mes të rinjsh kanë vënë në lëvizje policinë në Sarandë. Ngjarja u zbardh brenda pak orësh, ndërsa katër persona janë ndaluar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur më 12 mars, rreth orës 22:30, në rrugën “Panorama”, në lagjen nr. 1 të qytetit. Dyshohet se shtetasi J. L., së bashku me një të mitur, pas konflikteve të mëparshme me disa të rinj, kanë qëlluar me armë zjarri në ajër për t’i kanosur.
Pas ndërhyrjes dhe veprimeve hetimore të specialistëve të Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, më 13 mars në mbrëmje u bë e mundur ndalimi i katër shtetasve: A. Z., G. A., A. B. dhe D. Z., të gjithë 18 vjeç dhe banues në Sarandë.
Sipas hetimeve paraprake, ata dyshohet se kanë qenë në dijeni të ngjarjes dhe nuk e kanë kallëzuar atë.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia sekuestroi pesë gëzhoja, disa telefona celularë dhe një automjet, në cilësinë e provës materiale.
Ndërkohë janë shpallur në kërkim shtetasi J. L., 19 vjeç, dhe një shtetas i mitur, të dy të dyshuar si autorë të të shtënave me armë zjarri.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Sarandës për veprat penale “Kanosja”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Moskallëzimi i krimit”