Elsa dhe Resuli, dy të moshuar në Fier, jetojnë në kushte të rënda pa ndihmë sociale dhe me probleme serioze shëndetësore
Në një cep të harruar të lagjes 1 Maji në Fier, jeton një çift të moshuarish që po përballen çdo ditë me mungesën e mbështetjes institucionale dhe kushtet ekstreme të varfërisë. Elsa dhe Resuli, të dy rreth të 60-tave, janë lënë në harresë nga shteti dhe kërkojnë ndihmën e qytetarëve me zemër të mirë.
Shtëpia ku banojnë është në gjendje të rrënuar, me mure të çara dhe çati që nuk mbron as nga shiu. Elsa, e cila vuan nga epilepsia, mezi siguron ilaçet për trajtim. Resuli, bashkëshorti i saj, ka pësuar një aksident dhe që nga ajo ditë qëndron i shtrirë, pa mundësi për të lëvizur.
Ata nuk përfitojnë asnjë ndihmë nga Shërbimi Social. Elsa rrëfen se i është drejtuar zyrave të ndihmës sociale, por nuk ka marrë asnjë përgjigje dhe është injoruar. “Kam shkuar disa herë, por nuk më kanë përfillur,” tregon ajo me lot në sy.
Për të ngrënë, shpesh mbështeten tek komshinjtë, që herë pas here i ndihmojnë me ndonjë pjatë gjelle. Gjendja e tyre është aq e rëndë sa çdo gjë që bie jashtë, bie edhe brenda. Nuk kanë as një dhomë ku të strehohen, frigorifer apo një krevat të shëndetshëm ku të pushojnë.
Ndihma më e vogël, si ushqime, veshje, batanije apo ilaçe, do të ishte jetike për këtë çift që jeton në varfëri ekstreme. Ata nuk kanë numër telefoni, ndaj kontaktet mund të bëhen vetëm fizikisht.
Elsa dhe Resuli ndodhen në lagjen 1 Maji të Fierit, në kodrën nr. 2, përballë një gomisterie. Nëse dikush ka mundësi t’i ndihmojë, kjo do të ishte një dritë shprese për dy jetë që jetojnë në errësirën e harresës.