Të rinjtë mes katër mureve, Shqipëria po humb gjeneratën e ardhshme

Shqipëria renditet e dyta në Europë për mbipopullimin e banesave tek të rinjtë, duke shtuar presionin ekonomik dhe duke nxitur emigracionin masiv.

Shqipëria vijon të përballet me një nga problemet më të mprehta sociale të kohëve të fundit: mbipopullimin e banesave tek të rinjtë. Sipas Eurostat, rreth 70.3% e shqiptarëve të moshës 15–29 vjeç jetojnë në kushte të mbingarkuara, duke e renditur vendin tonë në vendin e dytë në Europë pas Malit të Zi, që mban nivelin 72.5%. Në Serbi kjo shifër është 60.8%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut arrin në 43.4%.

Kontrasti me vendet e Bashkimit Europian është i thellë. Mesatarja e BE-së për të rinjtë që jetojnë në banesa të mbipopulluara është vetëm 26.5%, ndërsa në zonën euro zbret në 22.7%. Vendet e Europës Veriore dhe Perëndimore raportojnë nivele shumë të ulëta: Holanda vetëm 4.3%, Finlanda 7.7%, Danimarka 8.1% dhe Gjermania 10.5%. Edhe Franca dhe Austria, me përqindje rreth 12%, tregojnë hendekun e madh me Shqipërinë.

Një ndër shkaqet kryesore të këtij realiteti lidhet me të ardhurat e ulëta dhe çmimet e larta të apartamenteve. Në Tiranë, çmimet e banesave nisin nga 1500 euro për metër katror, ndërsa paga mesatare mujore bruto në vend mbetet vetëm 770 euro, një diferencë që e bën pothuajse të pamundur sigurimin e një strehimi të ri për të rinjtë.

Për shumë të rinj, kjo situatë kthehet në shtysë të fortë për emigrim. Të dhënat e Eurostat tregojnë se nga viti 2008 deri në 2024, rreth 1 milion shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë në vendet e BE-së. Shumica janë të rinj që largohen në kërkim të një jete më të mirë, me kushte strehimi dhe punësimi më të favorshme.

Kjo tablo nxjerr në pah një treg banesash të paarritshëm dhe një realitet social të vështirë për brezin e ri. Politikat publike për strehimin mbeten të pamjaftueshme, duke mos ofruar alternativa reale për të ndihmuar të rinjtë të jetojnë në kushte dinjitoze pa qenë të detyruar të emigrojnë.

Mbipopullimi i banesave nuk është vetëm një shifër statistikore, por një tregues i drejtpërdrejtë i cilësisë së jetës. Në mungesë të hapësirës së mjaftueshme, të rinjtë shqiptarë përballen me sfida të mëdha për jetesë të pavarur, duke e parë emigracionin si zgjidhjen e vetme.

Nëse ky fenomen vijon, Shqipëria rrezikon të humbasë potencialin e saj më të çmuar, të rinjtë, të cilët janë gjithnjë e më të vendosur të ndërtojnë të ardhmen jashtë kufijve të vendit.

Ndaj Postimin: