Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur sot në seancë plenare, me një atmosferë të ngarkuar pas mbërritjes së deputetëve të opozitës pak minuta pas nisjes së seancës.
Disa prej tyre, të përjashtuar nga seancat dhe disa jo, kërkuan të merrnin pjesë në sallën e Kuvendit, por u ndaluan nga Garda. Për të përmbushur qëllimin e tyre, deputetët demokratë tentuan të kalojnë pengesat e Gardës dhe gardhin metalik të vendosur për të mbajtur rregullin.
Seanca e drejtuar nga kryetarja Elisa Spiropali nisi në orën 10:00, ku ajo përshëndeti të pranishmit dhe lexoi rendin e ditës. Pasi rendi u lexua, seanca u hap me betimin e dy deputetëve të rinj, Andrea Mano, që zëvendëson Ervin Salianjin, dhe Ervin Meka, që merr vendin e deputetit socialist Jurgis Çyrbja.
Në vijim të seancës, u miratua procesverbali i seancës plenare të datës 28 tetor 2024, pas së cilës u kalua te pika e rëndësishme e diskutimit të projektligjit “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”. Ky projektligj synon të forcojë mbështetjen për kërkimin shkencor në vend dhe të përmirësojë mundësitë për inovacion dhe zhvillim shkencor.
Gjithashtu, në rend të ditës ishte edhe projektligji për disa ndryshime në ligjin për shërbimin e kërkim-shpëtimit, për të forcuar dhe përmirësuar shërbimet emergjente të kërkim-shpëtimit në Shqipëri. Pati gjithashtu një diskutim për ndryshimin e ligjit mbi fondin kullosor, i cili synon mbështetjen e zhvillimit rural dhe të blegtorisë.
Një tjetër pikë e rëndësishme e seancës ishte shqyrtimi i dekretit të kthyer nga Presidenti Bajram Begaj për ligjin “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”. Ky dekret përfshin rekomandime për përmirësimin e ligjit, dhe Kuvendi pritet të marrë një vendim mbi çështjen.
Në vazhdim të seancës, pritet të diskutohet dhe të votohet për zgjatjen e afatit të Komisionit Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-up-it në Shëndetësi, duke marrë në shqyrtim efektivitetin e këtyre shërbimeve për qytetarët.
Në fund, Kuvendi do të miratojë strukturën, organikën dhe klasifikimin e pagave për personelin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke rregulluar më tej kuadrin organizativ dhe financiar për këtë institucion të rëndësishëm.