Mes pensionit, vetmisë dhe nevojës për shoqëri e përkujdesje, të moshuarit në Roskovec kanë tashmë një hapësirë ku mund të kalojnë orët e lira në shoqërinë e njëri-tjetrit.
Në ambientet e qeta, çlodhëse dhe argëtuese të Qendrës Komunitare, kryetarja e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi, ka ndarë kafenë e paradites me pensionistët. Një takim ndryshe, që nuk ka qenë vetëm një moment shoqëror, por edhe një mundësi për të dëgjuar nga afër mendimet, shqetësimet, ankesat dhe kërkesat e tyre.
Kjo hapësirë, e krijuar në kuadër të projektit “Kafja e Gjyshit”, synon t’u shërbejë të moshuarve jo vetëm për të kaluar kohën, por edhe për të ruajtur lidhjet sociale, për të shmangur izolimin dhe për të qenë pjesë aktive e jetës komunitare eshte shprehur kryetarja e Bashkise Majlinda Bufi.Sipas saj projekti është bashkëfinancuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Bashkia Roskovec.
Për pensionistët, kjo qendër është më shumë se një ambient ku mund të konsumojnë një kafe. Është një vend ku mund të takojnë bashkëmoshatarët, të bisedojnë, të argëtohen dhe të ndihen të dobishëm e të përfshirë në komunitet.
Ata vlerësojnë edhe shërbimin falas që u ofrohet pensionistëve përmes bashkëpunimit të qeverisjes qendrore dhe asaj vendore. Për ta, kujdesi dhe respekti ndaj moshës së tretë nuk është thjesht një detyrim institucional, por një vlerë njerëzore dhe shoqërore.
Në një moshë kur shumë prej tyre përballen me vetminë, largimin e fëmijëve apo kufizimin e mundësive për të qenë aktivë per kete kategori te shoqerise hapësirat e mjediseve te qendres komunitare marrin një rëndësi të veçantë.
Sipas kryetares së Bashkisë Roskovec, qendra qëndron e hapur nga ora 08:00 deri në 16:00, duke u krijuar të moshuarve mundësi për të biseduar, për t’u argëtuar dhe për të kaluar orët e lira në praninë e shoqërisë dhe po shikohet mundesia e ofrimit te shërbimit edhe ne oret e pasdites,sepse për të moshuarit, ndonjëherë një kafe, një bisedë dhe prania e një miku ne cdo ore te dites kanë po aq vlerë sa edhe shërbimi social.
Të moshuarit në Roskovec, mes pensionit, shoqërisë dhe kujdesit komunitar