Prej katër ditësh, banorët e fshatrave Bashaj dhe Vermik ndodhen në izolim të plotë, pas rrëshqitjes së një pjese të shpatit të malit që ka dëmtuar rëndë rrugën kryesore lidhëse. Masat e dheut dhe gurëve kanë bllokuar plotësisht aksin rrugor, duke e bërë të pamundur qarkullimin dhe duke ndërprerë çdo komunikim normal me pjesën tjetër të zonës.
Përballë mungesës së një zgjidhjeje të shpejtë institucionale, banorët janë detyruar të ndërhyjnë vetë. Që prej ditës së sotme, ata janë angazhuar me mjete rrethanore dhe punë fizike për të hapur një rrugë provizore, me qëllim rikthimin minimal të lidhjes me zonat përreth. Një përpjekje e imponuar nga rrethanat, që tregon vështirësitë e thella me të cilat po përballen këto komunitete.
Një ditë më parë, në zonë kanë qenë të pranishme edhe forcat xheniere, të cilat kanë ndërhyrë për të krijuar një kalim alternativ, në funksion të sigurimit të komunikimit të përkohshëm mes fshatrave dhe lidhjes së tyre reciproke.
Megjithatë, situata mbetet problematike. Terreni i paqëndrueshëm dhe kushtet atmosferike mbajnë të lartë rrezikun për rrëshqitje të tjera, duke e bërë të pasigurt çdo zgjidhje afatshkurtër. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Bashkia Selenicë dhe institucionet përgjegjëse, jo vetëm për hapjen e rrugës, por edhe për ndërtimin dhe fortifikimin e saj, në mënyrë që izolimi të mos përsëritet dhe të mos kthehet në një realitet të përhershëm.