Të harruar! Banorët e Shtyllasit në Fier 15 vite pa ujë, duhet të mbushin 45 km larg

Banorët e Shtyllasit në Levan, Fier, po përjetojnë një krizë të vazhdueshme të ujit të pijshëm prej 15 vitesh.

Ata janë të detyruar të mbushin ujë të pijshëm nga një qendër 45 km larg, ndërsa për konsumin e përditshëm përdorin puse në oborre.

Mungesa e rrjetit ujësjellës ka ndikuar ndjeshëm në jetesën e banorëve, duke e vështirësuar jetesën e përditshme dhe duke rënë rëndë në buxhetin familjar. “Edhe pse jemi ankuar shpeshherë për këtë problematikë, zgjidhje nuk kemi gjetur dhe as shpresojmë se në rubinetat e çezmave tona do të ketë ujë ndonjëherë,” thonë ata.

Pamjet brenda oborreve të shtëpive, me puse, bidona dhe depozita mbi taraca, tregojnë qartë se furnizimi me ujë të pijshëm është një problem jetik për komunitetin. “Nuk ka asnjë gram ujë këtu në Shtyllas. E përdorim ujin e pusit që e nxjerrim nga 5 metra thellë. Jemi ankuar mijëra herë, madje edhe në Këshillin e Komunës, por arrijnë deri aty sa na thonë ai fshat ka qenë i internuar dhe do i lëmë të internuar,” shpjegon një prej banorëve.

Në Shtyllas, pjesa më e madhe e banorëve janë të ardhur nga veriu i vendit, por bashkëjetesa me komunitetin vendas ka qenë e përhershme. Ata ankohen se pushteti lokal i ka lënë në mëshirë të fatit, duke sjellë dhe braktisjen e fshatit. “Një milionë e ca më vajti pusi që e bëra dhe vetëm për të larë e shpëlarë, se për të pirë e blejmë me lekë. Nuk pihet ai, ku kam unë garanci të pi ujë pusi. Ne na shohin si çeçenë këta. Na thonë do e bëjmë, do e bëjmë dhe asgjë. Kjo është gjendja e fshatit tonë,” thotë një tjetër banore.

“Përpiqemi të mbushim kush me makinë e kush me motor, sepse s’kemi pasur asnjëherë ujë. Që kur kam ardhur këtu nuk ka pasur kurrë ujë. Bëjmë puse sa për të larë e shpëlarë, se për të pirë e blejmë,” shton një tjetër banore.

Dikur, Shtyllasi numëronte rreth 3,000 banorë, ndërsa sot mbeten vetëm rreth 400, kryesisht të moshuar. Kjo tërheqje të popullsisë reflekton vështirësitë dhe mungesën e perspektivave në këtë komunitet të harruar.

Nga Shoqëria e Ujësjellës-Kanalizimeve Fier, mësohet se gjatë periudhës së transferimit nga ish-komunat te ujësjellësi qendror, rrjeti ujësjellës i Levanit ka qenë jashtë funksionit dhe nuk është transferuar si aset. Kjo ka kontribuar në mosfunksionimin e rrjetit ujësjellës në Shtyllas.

Parashikohet që brenda vitit 2025, të hartohet një projekt për vendosjen e linjave të reja ujësjellëse në të gjitha zonat e bardha ose pa mbulim në qarkun e Fierit. Ky projekt synon të adresojë problemet e ujit të përditshëm për banorët e Shtyllasit dhe të rikthejë dignitetin e këtij komuniteti të neglizhuar.

Ndërkohë, banorët e Shtyllasit vazhdojnë të kërkojnë ndihmë dhe zgjidhje nga autoritetet lokale, duke theksuar nevojën për një sistem të qëndrueshëm ujësjellës që të sigurojë ujë të pijshëm për të gjithë banorët e fshatit.

Kjo situatë ka bërë që komuniteti të arrijë në një pikë të krizës, ku secili ditë pa ujë i bëhet gjithnjë e më i vështirë jetesa për banorët e Shtyllasit, të cilët kërkojnë me zjarr që zgjidhja e kësaj problemi të realizohet sa më shpejt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin: