Të diplomuarit shqiptarë me paga qesharake, më të ulëtat në gjithë Europën

Të diplomuarit shqiptarë fitojnë vetëm 4,348 euro në vit, gati gjysmën e nivelit të Serbisë, duke mbetur në fund të renditjes europiane për të ardhurat neto.

Shqipëria renditet në fund të listës europiane për të ardhurat neto mediane të të diplomuarve universitarë. Një i diplomuar shqiptar fiton mesatarisht 4,348 euro në vit, shumë më pak se kolegët në rajon, madje gati sa gjysma e të ardhurave që regjistrohen në Serbi.

Të dhënat e Eurostat dhe Komisionit Europian tregojnë se diferenca e të ardhurave sipas nivelit arsimor në Shqipëri është ndër më të lartat në kontinent. Një person me diplomë universitare fiton mbi dyfishin e atij me arsim të ulët (+108%) dhe 54% më shumë se individët me arsim të mesëm.

Në nivel Bashkimi Europian, raporti është dukshëm më i ulët: një i diplomuar fiton 38% më shumë se një individ me arsim të mesëm dhe 68% më shumë se një person me arsim të ulët. Hendeku i të ardhurave ndryshon sipas rajoneve, duke qenë më i madh në Europën Lindore dhe më i ulët në vendet nordike.

Në Shqipëri, Rumani, Bullgari, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut, një diplomë universitare sjell përfitime më të mëdha financiare në krahasim me arsimimin e mesëm. Në vendet nordike si Islanda, Norvegjia apo Suedia, ky hendek mbetet i kufizuar, duke reflektuar paga më të balancuara sipas niveleve të arsimit.

Të dhënat e raportit “Investing in Education 2025” tregojnë se edhe një vit shtesë arsimimi mund të rrisë të ardhurat mesatare me rreth 7% në Europë. Megjithatë, në vendet me të ardhura të ulëta, si Shqipëria, edhe pse hendeku është i madh, të ardhurat për të diplomuarit mbeten minimale.

Lista e 10 vendeve europiane me pagat më të ulëta për të diplomuarit kryesohet nga Shqipëria, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Turqia dhe Serbia. Në të kundërt, ekonomitë e mëdha të Europës si Gjermania, Franca dhe Italia regjistrojnë paga shumë më të larta dhe hendekë më të moderuar mes niveleve të arsimit.

Ekspertët theksojnë se tregu i punës në Shqipëri ofron pak shpërblim për arsimin e lartë, duke frenuar motivimin e të rinjve dhe duke nxitur emigracionin. Kjo tendencë rrezikon të thellojë mungesën e kuadrove të kualifikuar dhe të dobësojë zhvillimin ekonomik të vendit.

Ndaj Postimin: