Të ardhurat e shqiptarëve janë sa vetëm një e treta e qytetarëve europianë, ndërsa sipas Bankës Botërore, vendit i duhen disa dekada për të arritur cilësinë e jetesës së popujve të Bashkimit Europian.
Ky përfundim vjen nga raporti “Rishikimi i Financave Publike” i publikuar nga Banka Botërore, i cili tregon se, edhe në rastin më optimist, me reformat e duhura, të ardhurat e shqiptarëve do të mund të arrinin gjysmën e mesatares së vendeve të BE-së.
Massimiliano Paolucci, menaxher i Bankës Botërore në Shqipëri, theksoi se e ardhmja ekonomike e vendit varet nga forcimi i kapitalit njerëzor, përmirësimi i infrastrukturës dhe përparimi i politikave klimatike. “Perspektivat e rritjes ekonomike të Shqipërisë varen nga forcimi i kapitalit njerëzor, përmirësimi i infrastrukturës dhe avancimi i politikave klimatike për të përshpejtuar konvergjencën me BE-në, veçanërisht në kontekstin e ndryshimeve demografike,” u shpreh ai.
Sipas tij, pavarësisht reformave që kanë forcuar sistemin tatimor, të ardhurat mbeten nën potencialin e tyre për shkak të mosdeklarimit të pagave, informalitetit dhe përjashtimeve të shumta.
Ekonomistja e lartë e Bankës Botërore, Angella Montfaucon, paralajmëroi se presionet demografike do të rëndojnë më tej mbi ekonominë: “Deri në vitin 2060, rreth 29–34% e popullsisë pritet të jetë mbi moshën e pensionit. Pensioni mesatar aktual përbën vetëm 32% të pagës, niveli më i ulët në rajon.”
Sipas raportit, të ardhurat mesatare për frymë në Shqipëri janë 8,800 euro në vit, ndërsa në vendet e Bashkimit Europian arrijnë mesatarisht në 46 mijë euro. Diferenca është e ndjeshme edhe në paga: një i punësuar shqiptar fiton mesatarisht 3.9 euro në orë, ndërsa në BE paga mesatare është 16.8 euro – plot 4.4 herë më e lartë.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se reformat janë të domosdoshme për të çliruar potencialin e zhvillimit. “Kemi bërë përparim të rëndësishëm, por mbetet ende shumë punë. Reformat kërkojnë vullnet politik, kapacitet teknik dhe këmbëngulje. Kostoja e mosveprimit është shumë më e lartë se sfidat e ndryshimit,” deklaroi Malaj.