Taulant Toma arratiset sërish nga burgu i Operas në Itali – hera e katërt për “mjeshtrin e arratisjeve”

Taulant Toma, i njohur prej vitesh për aftësinë për t’u larguar nga burgjet e sigurisë së lartë, ka arritur të arratiset për herë të katërt. Ngjarja u regjistrua gjatë natës mes së shtunës dhe së dielës, më 7 dhjetor, në burgun e Operas në Itali. Sipas raportimeve, ai ka prerë hekurat e qelisë dhe është ulur jashtë ndërtesës duke përdorur çarçafë të lidhur mes tyre – një skenë që i ngjan një filmi, por që këtë herë është realitet.

Hetimet paraprake sugjerojnë se arratisja është kryer gjatë ndërrimit të turnit të rojeve dhe duket se ishte planifikuar me kujdes. Ende nuk ka përgjigje për mënyrën se si Toma arriti të kapërcente murin e lartë të burgut dhe nuk përjashtohet mundësia që të ketë pasur ndihmë nga jashtë.

Një histori e përsëritur arratisjesh

Toma, i dënuar për vjedhje dhe grabitje dhe me dënim që zgjat deri në vitin 2041, ka një të kaluar të ngjashme. Në shkurt të vitit 2013 ai u arratis nga burgu i Parmës së bashku me bashkëatdhetarin Frokaj Vamentin, i cili më vonë u vra nga një argjendar gjatë një grabitjeje. Po në vitin 2013, pasi u arrestua në Belgjikë dhe u transferua në burgun e Latinës, ai u arratis edhe nga aty. Një tjetër arratisje e tij është regjistruar në vitin 2009, në burgun e Ternit.

Kërkim i gjerë nga autoritetet

Pas arratisjes së fundit, Prefektura italiane ka nisur një operacion të madh kërkimi, duke ngritur postblloqe dhe duke kontrolluar zonat rurale e industriale rreth Operas. Edhe pse kontrollet janë të shpeshta dhe intensive, ekziston frika se Toma mund të ketë dalë tashmë nga zonës dhe të jetë larguar drejt një vendndodhjeje të panjohur.

Autoritetet vijojnë kërkimet, ndërsa rasti ka vënë sërish në qendër të vëmendjes sigurinë e burgjeve italiane dhe mënyrën si Toma ka mundur të thyejë mbrojtjet e tyre në mënyrë të përsëritur.

Ndaj Postimin: