Tatimet: Ndryshime në Deklaratën e Statusit Personal dhe listëpagesën e re

Drejtoria e Tatimeve ka njoftuar se ka pasur ndryshime të rëndësishme në deklaratën e statusit personal dhe listëpagesën e re, që janë të aplikueshme që nga janari i këtij viti.

Ky ndryshim vjen në kuadër të zbatimit të ligjit të ri të “Tatimit mbi të Ardhurat”, dhe ndikon në mënyrën si bizneset dhe të punësuarit e tyre duhet të plotësojnë dokumentacionin përkatës. Të gjithë punonjësit, të tashëm dhe ata rishtazi të punësuar, duhet të ndryshojnë deklaratën mbi statusin personal.

Sipas ligjit të ri, çdo punonjës ka të drejtën e përfitimit të një zbritjeje nga vlera e tatueshme e të ardhurave nga paga, sipas shumave të përcaktuara në nenin 22 të ligjit. Kjo mund të ndodhë vetëm një herë gjatë një periudhe kalendarike mujore. Deklarata e statusit personal duhet të nënshkruhet nga të dyja palët (punëdhënësi dhe punëmarrësi) para fillimit të marrëdhënies së punësimit dhe përpara pagesës së parë të të ardhurave tatueshme.

Një aspekt i rëndësishëm i ndryshimeve të reja është që një punëmarrës nuk mund të nënshkruajë deklaratën e statusit personal me më shumë se një punëdhënës për të njëjtën periudhë kalendarike. Pra, në rastin kur një individ ka më shumë se një punëdhënës gjatë një muaji, ai duhet të dorëzojë deklaratën vetëm te një prej punëdhënësve, dhe zbritja do të aplikohet vetëm për atë pagë që ka dorëzuar ky subjekt. Në të tjera subjekte, përllogaritja e tatimit mbi të ardhurat do të bëhet mbi pagën bruto.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është përfshirja e një kutizë për deklaratën e statusit personal në listëpagesë. Kjo do të mundësojë zbritjen e shumave të përcaktuara nga baza tatimore, në varësi të pagës bruto të punonjësit. Punëdhënësit dhe punëmarrësit, të cilët janë të punësuar vetëm në një punëdhënës deri më datën 01.01.2025, do të kenë automatikisht kutizën për “Statusin Personal”, por kjo do të vlejë vetëm nëse të dyja palët kanë nënshkruar deklaratën e statusit personal.

Në rastin kur një individ ka më shumë se një punëdhënës, kutiza nuk do të jetë e plotësuar, pasi deklarata e statusit personal mund të përzgjidhet vetëm nga njëri prej punëdhënësve, që do të përcaktohet nga vetë i punësuari. Nëse disa punëdhënës përpiqen të përzgjedhin për të njëjtin individ, sistemi do të kontrollojë dhe do të pranoni zbritjet nga puna vetëm për punëdhënësin që ka bërë deklaratën e parë.

Për punonjësit që do të punësohen rishtazi, kutiza për “Statusin Personal” mund të përzgjidhet vetëm nëse punëmarrësi ka dorëzuar deklaratën përkatëse te punëdhënësi. Kjo do të ndikojë në mënyrën si përllogaritet tatimi mbi të ardhurat. Gjithashtu, zbritjet që mund të përfitojnë individët për fondet e pensioneve vullnetarë do të zbriten nga të ardhurat personale për efekt të mbajtjes së tatimit, por kjo zbritje nuk mund të tejkalojë vlerën e pagës minimale të miratuar në shkallë vendi.

Shkallët tatimore progresive për përllogaritjen e tatimit nuk kanë ndryshuar dhe mbeten 13% dhe 23%. Tatimet kanë publikuar gjithashtu një material udhëzues që ofron informacion të detajuar për mënyrën e plotësimit dhe deklarimit të listëpagesës, duke mundësuar një proces më të thjeshtë dhe të qartë për punëdhënësit dhe punëmarrësit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera