Tarifat e Trump për Groenlandën shkaktojnë reagime në Evropë, Starmer i quan një hap të gabuar

Kërcënimet e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për vendosjen e tarifave ndaj tetë shteteve evropiane kanë shkaktuar reagime të forta nga liderët në Evropë. Masat prekin Danimarkën, Norvegjinë, Suedinë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Holandën dhe Gjermaninë, në kontekstin e tensioneve mbi Groenlandën.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, deklaroi se vendosja e tarifave ndaj aleatëve të NATO-s është një hap plotësisht i gabuar. Ai theksoi se këto vende po veprojnë në funksion të sigurisë kolektive të aleancës dhe njoftoi se çështjen do ta diskutojë me administratën amerikane.

Edhe presidenti francez Emmanuel Macron reagoi ashpër, duke i cilësuar kërcënimet me tarifa si të papranueshme. Macron deklaroi se nëse masat zbatohen, Bashkimi Evropian do të përgjigjet në mënyrë të koordinuar. Zyrtarë nga Norvegjia, Suedia, Franca dhe Gjermania shprehën mbështetje për Danimarkën dhe theksuan se Groenlanda nuk duhet të shndërrohet në objekt presioni ekonomik.

Sipas deklaratave të presidentit amerikan, tarifat janë një formë hakmarrjeje ndaj vendeve evropiane që kanë dërguar personel ushtarak në Groenlandë si shenjë mbështetjeje për territorin. Deri më tani, Franca ka dërguar 15 ushtarakë, Gjermania 13 dhe Mbretëria e Bashkuar një oficer.

Tarifa fillestare prej 10 për qind pritet të hyjë në fuqi më 1 shkurt, ndërsa parashikohet të rritet deri në 25 për qind në muajin qershor për mallrat e eksportuara drejt SHBA-së, derisa të arrihet një marrëveshje për Groenlandën.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033