Tarifat e reja për shërbimet e trashëgimisë kulturore në Shqipëri

U miratuan tarifat e reja për shërbimet arkeologjike dhe dokumentacionin teknik, me çmime që arrijnë deri në 500 mijë lekë për projektet më të mëdha.

Në Fletoren Zyrtare është botuar udhëzimi i përbashkët i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit me Ministrinë e Financave, që përcakton tarifat dhe procedurat për shërbimet e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK). Qëllimi është formalizimi i pagesave dhe rregullimi i aplikimeve për leje ndërhyrjeje, mbikëqyrje restaurimi, gërmime dhe shërbime nga Arkivi Teknik.

Sipas udhëzimit, aplikimi për leje ndërhyrjeje në pasuri kulturore materiale do të kushtojë 10,000 lekë, pavarësisht kategorisë ose zonës së mbrojtur. Për zhvillime transformuese në territor tarifa është 100 lekë për m², ndërsa mbikëqyrja arkeologjike në terren arrin në 20,000 lekë në ditë. Gërmimet dhe sondazhet do të tarifohen me 70,000 lekë për m³.

Për vëzhgimin intensiv arkeologjik, çmimet ndryshojnë sipas sipërfaqes: nga 50,000 lekë për projektet deri në 1,000 m², deri në 500,000 lekë për ato mbi 25,000 m². Nëse një projekt kërkon disa faza (vëzhgim, gërmim dhe sondazh), pagesa do të jetë shuma e të gjitha tarifave përkatëse.

Arkivi Teknik i IKTK-së do të aplikojë tarifa nga 1,500 deri në 2,700 lekë, varësisht formatit dhe mënyrës së dorëzimit të dokumentacionit (shkresor ose digjital). Për pajisjen me projekte apo relacion teknik në format A4 ose A3, çmimet luhaten nga 2,000 në 2,700 lekë.

Të ardhurat nga këto tarifa do të shpërndahen mes buxhetit të shtetit dhe buxhetit të IKTK-së, në varësi të shërbimit. Institucionet shtetërore që veprojnë si investitorë përjashtohen nga pagesat. Aplikimet dhe pagesat do të kryhen përmes platformës elektronike e-Leje, sipas modelit të faturës të miratuar nga drejtori i përgjithshëm i IKTK-së.

Mbikëqyrja dhe kolaudimi i punimeve të restaurimit do të llogaritet sipas manualit të tarifave të miratuar me VKM nr. 354, datë 11.5.2016. Zbatimi i këtij udhëzimi i është ngarkuar IKTK-së dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, duke hyrë menjëherë në fuqi për të gjitha shërbimet e përfshira.

Ndaj Postimin: