Takimi sekret i Bashkim Ulajt me banorët e Rrjollit: Çfarë u ofroi atyre në tavolinë dhe çfarë kushti iu vuri?

Pse Bashkim Ulaj takoi para protestave banorët e Rrjollit? Çfarë u ofroi atyre në tavolinë dhe çfarë kushti iu vuri? A legjitimoi pronësinë e tyre me këtë veprim? Këto do të kishin qenë tre pyetjet më logjike pas rrëfimeve të banorëve lidhur me takimet sekrete që, sipas tyre, ka zhvilluar me ta.

Protestat e banorëve të fshatit Baks-Rrjoll të Velipojës zhvillohen prej javësh jo kundër ndërtimit të një resorti turistik. Ata pretendojnë se projekti “Blue Borgo”, në një sipërfaqe prej 146 hektarësh, po realizohet në tokën e tyre, por me leje të bazuar në dokumente të falsifikuara të pronarëve fiktivë. Këtë betejë duke protestuar thonë se e bëjnë që t’u njihet pronësia e trashëguar ndër breza dhe të jenë përfitues.

“Kauza jonë është pronësia. Kemi dokumentet e pronësisë që vërtetojnë qartë dhe pastër se ne jemi pronarë të fshatit Baks-Rrjoll. Dokumentet që kam janë që nga viti 1935”, thotë banori Prek Molla.

Mirëpo, me vendim të Gjykatës së Apelit, si pronar i truallit ku po ndërtohet resorti njihet Fatmir Shpellzaj, me të cilin është bërë marrëveshja nga kompania “Gener 2”. Kompania në një deklaratë publike sqaron se çdo pretendim aktual për pronësi nuk është mbështetur asnjëherë me dokumentacion të vlefshëm në gjykatë gjatë proceseve të zhvilluara deri në vendimin përfundimtar. Në deklaratë nënvizohet gjithashtu se kompania ka qenë palë e tretë zhvilluese, duke hyrë në marrëdhënie kontraktuale për truallin me një palë të dytë të ligjshme dhe se nuk ka asnjë marrëdhënie të drejtpërdrejtë me pretenduesit aktualë.

Mirëpo banorët pretendojnë të kundërtën. Ata rrëfejnë prapaskenat e një serie takimesh që thonë se kanë zhvilluar me përfaqësues të kompanisë pas nisjes së punimeve. Vetë banorja Luçiana Kokaj thotë se ka shkuar me këmbët e saj në zyrat e kompanisë në ambientet e “Aba Business Center” në Tiranë.

“Janë zhvilluar tre takime në total. Takimi i parë është bërë me secilin fis veçmas, takimi i dytë ka qenë me nga një përfaqësues për çdo fis, ndërsa takimi i tretë po ashtu është zhvilluar me nga një përfaqësues për fis”, tregon Kokaj.

Kush i ndërmjetësoi takimet?

Sipas Kokajt, këto takime për ndërmjetësim mes banorëve dhe investitorit Bashkim Ulaj janë kërkuar kur situata ende nuk kishte përshkallëzuar në protesta. Banorët e konsiderojnë këtë një moment kyç që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve.

Sipas saj, ndërmjetësimi u bë nga persona që njihnin të dyja palët.

“Kanë ardhur, na kanë takuar dhe na kanë thënë: ejani të gjejmë zgjidhje. Na thanë: po e bëjmë këtë ndërmjetësim sepse na vjen keq për ju, e dimë që është prona juaj dhe duam të gjeni një zgjidhje. Kemi pranuar, sepse edhe më parë kemi thënë që nuk jemi kundër zhvillimit”, tregon ajo.

Në këtë moment konflikti për dokumentet e pronësisë ishte ngritur tashmë. Madje Prek Molla pretendon se qëllimi i takimit ishte paraqitja e dokumenteve dhe sqarimi i pretendimeve të pronësisë përpara se të niste projekti në terren. Në këtë fazë, sipas tyre, nuk kishte protesta, por vetëm kërkesë për marrëveshje.

Në këtë pikë Kokaj ngre pyetjen: “Nëse nuk jemi pronarë, pse Ulaj na thirri në zyrë?”

Ajo tregon se takimi i parë ndodhi në ambientet e kompanisë dhe se nga ana e saj ishin të pranishëm Bashkim Ulaj dhe Isuf Çelaj.

Nga pala e banorëve, thotë se mori pjesë ajo me përfaqësues të tjerë nga fisi i saj. Gjatë takimit thotë se shpalosën tapitë e viteve 1930, vendime gjyqësore dhe dosje të depozituara në Agjencinë e Trajtimit të Pronave.

“Unë po flas për takimin e parë që kam zhvilluar unë bashkë me familjarët e mi. Pra ishim disa përfaqësues të familjes që të flisnim. Ne jemi 50 kurora si fis dhe kemi 400 dynym tokë. Nga kompania ka qenë Bashkim Ulaj dhe Isuf Çelaj”, jep detaje Kokaj.

Me dokumente në duar, Kokaj tregon se kërkuan që investitori të verifikonte edhe palën tjetër që pretendon pronësinë përpara se të vijonte me investimin. Argumenti që kishin ishte se nëse ekziston konflikt pronësie, projekti duhet të presë derisa të sqarohet.

Marrëveshja që u ofrua në tavolinë

Sipas rrëfimit të Luçiana Kokajt, kompania ofroi një marrëveshje me 20% të ndërtimit për një pjesë të kufizuar të sipërfaqes, por jo aq sa zotërojnë tokë.

“Ne si pesë fise kemi 1500 dynym të gjithë bashkë. Ai tha: unë do ndërtoj 150 dynym. Por leja është për 1500. Si mund të përdorësh të gjithë pronën për leje ndërtimi dhe të vlerësosh vetëm një të dhjetën e saj? Propozimi ishte komplet i njëanshëm. Si kur shkon e blen një SIM dhe firmos kontratën gati pa të drejtë të ndryshosh asnjë nen.”

Sipas saj, u është propozuar edhe një marrëveshje paraprake financiare, ku palët do të vazhdonin proceset gjyqësore dhe kushdo që do të fitonte gjyqin do të lidhte marrëveshje përfundimtare. Kushti ishte që proceset gjyqësore të përfundonin brenda 5 viteve.

“Sipas propozimit, nëse brenda 5 viteve banorët e Rrjollit do të siguronim certifikatën e pronësisë, atëherë do të përfitonim ndërtimet. Nëse jo, ato do t’i kalonin palës tjetër që njihet si pronar me certifikatë.”

Kjo pikë ishte e papranueshme për ta. Me letra në duar banorët thanë njëzëri: “Ne jemi pronarët e tokës”.

Si përfundim, takimi i parë nuk prodhoi zgjidhje. Banorët u larguan nga zyrat me një porosi: të mendoheshin dhe të ktheheshin me një ofertë.

Takimi i dytë dhe i tretë

Pati edhe dy takime të tjera, këtë herë me nga një përfaqësues për çdo fis. Banorët kërkuan alternativën e dëmshpërblimit me çmim tregu për çdo dynym toke.

“Shkuam me ofertën tonë. Familjarët i kanë kërkuar që të na e japë pagesën me lekë për çdo dynym. Ai e pranoi parimisht dhe tha: mendojeni sa e doni dynymin dhe ejani me një përgjigje. Ne shkuam me ofertën tonë, por u refuzua kategorikisht. Kushti mbeti vetëm firmosja e marrëveshjes me 20% për sipërfaqen që përcaktonin ata.”

Edhe avokati i banorëve, Ndue Pjetra, e përshkruan ofertën si një marrëveshje paraprake që do t’i shërbente kompanisë për të siguruar një pozicion të dyfishtë përballë shtetit.

“Banorëve u propozoi një shumë të vogël paraprake dhe një marrëveshje ku kushdo që do të fitonte gjyqin do të merrte pjesën përkatëse. Banorët nuk pranuan, sepse e konsiderojnë pronën të tyren dhe kërkojnë vetëm pjesën që u takon me marrëveshje të shkruar.”

Dëgjesë publike reale?

Në rastin e një projekti si resorti turistik në Rrjoll, organizimi i dëgjesave publike me banorët është një detyrim ligjor.

Vetë banorët pretendojnë se asnjë banor i Baks-Rrjollit nuk ka qenë pjesë e dëgjesës publike. Sipas tyre, në këtë proces kanë marrë pjesë persona nga zona të tjera që nuk janë banorë të fshatit.

“Personat që kanë marrë pjesë në atë që quhet dëgjesë publike nuk janë banorë të fshatit Baks-Rrjoll. Janë nga zona të tjera dhe kanë firmosur pa qenë të informuar për vendndodhjen reale të projektit”, thotë Prek Molla.

Edhe avokati Ndue Pjetra thotë se për projektin nuk është zhvilluar një dëgjesë publike sipas kërkesave ligjore dhe se institucioni që duhet ta organizonte ishte Bashkia Shkodër.

Sipas tij, çështja është në Gjykatën Administrative të Tiranës, ku është kërkuar pavlefshmëria e lejes së ndërtimit. Data e gjykimit në themel është caktuar më 4 prill.

Pavarësisht përplasjes dhe faktit që presin nga drejtësia vendim për pronësinë, banorët theksojnë se nuk janë kundër zhvillimit turistik në zonë.

“Edhe po ta mbajmë vetë pronën, do ta zhvillonim. Nuk ka njeri që do ta lërë tokën kot. Por zhvillimi duhet të jetë në proporcion të drejtë dhe me respekt për pronësinë”, thotë Kokaj.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033