Kandidatët e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në Lushnje, nën mbështetje të Partisë Demokratike, kanë zhvilluar një takim me banorët e lagjes Skënder Libohova, raporton gazetarja MUKADES DERVISHI.
Ky takim kishte për qëllim prezantimin e kandidatëve dhe programit të partisë, me fokus të veçantë angazhimin për një fitore të mundshme me tre deputetë nga ky qytet.
Deputeti aktual, Sajmir Korreshi, theksoi rëndësinë e rikthimit të dinjitetit për komunitetin e Lushnjes, i cili për më shumë se 12 vjet ka qenë pa institucione dhe i pa përfaqësuar. Ai kërkoi angazhim të fortë nga qytetarët për të siguruar një përfaqësim të denjë në Kuvend, duke u shprehur se Lushnja ka thyer frikën dhe nuk do të votojë më për “mercenarë të sjellë nga Tirana”, që pas 11 majit nuk do të jenë më të pranishëm në qytet.
Në një mesazh të ngjashëm, Eduart Sharka, kandidati tjetër i koalicionit, u shpreh për një administratë më të vogël dhe efikase. Ai kritikoi administratën aktuale, duke e quajtur atë një mekanizëm të tejfryrë që përpin paratë e qytetarëve, ndërsa premtoi një qeverisje demokrate që do të ofronte një administratë funksionale dhe të përqendruar në shërbimin e qytetarëve.
Nga ana e tij, Gentjan Çela, një tjetër kandidat i PD-së për deputet, kërkoi mbështetje nga banorët e Lushnjes, duke theksuar rëndësinë e ndaljes së ikjes dhe shpopullimit të qytetit. Ai i ftoi qytetarët që të votojnë për të dhe kolegët e tij, Sajmir Korreshi dhe Eduart Sharka, duke premtuar se kjo skuadër do të punojë për të rikthyer zhvillimin dhe për të përmirësuar kushtet e jetesës në Lushnje.
Takimi u shndërrua në një mundësi për të diskutuar edhe sfidat e mëdha me të cilat përballet ky qytet, si dhe nevojën për një qeverisje të re që të jetë më afër qytetarëve dhe të ndihmojë në zhvillimin e territorit. Kandidatët e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” shprehën bindjen se Lushnja ka nevojë për një ndryshim të thellë, duke kërkuar angazhimin e qytetarëve për një të ardhme më të mirë.