Von der Leyen-i dhe Trump-i do të takohen të dielën në Skoci për të diskutuar të ardhmen e marrëdhënieve tregtare transatlantike dhe shmangien e tarifave të reja 30%.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri të ditur se të dielën do të zhvillojë një takim në Skoci me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për të trajtuar tensionet në rritje në marrëdhëniet tregtare mes dy anëve të Atlantikut.
Lajmin ajo e ndau përmes një postimi në rrjetin social X, ku sqaroi se pas një telefonate pozitive me Trump-in, të dy liderët ranë dakord të diskutojnë mënyrat për të forcuar bashkëpunimin ekonomik ndërmjet BE-së dhe Shteteve të Bashkuara.
Përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian kanë kaluar ditët e fundit në Uashington, në përpjekje për të finalizuar një marrëveshje tregtare që do të evitonte përplasjen tarifore. Deri më tani, negociatat kanë prodhuar sinjale pozitive, me një marrëveshje të mundshme që përfshin një tarifë bazë 15%.
Megjithatë, optimizmi i palëve evropiane është përballur me skepticizmin e Shtëpisë së Bardhë. Një përfaqësues i administratës amerikane ka deklaruar se çdo informacion që nuk konfirmohet drejtpërdrejt nga Presidenti Trump, nuk duhet konsideruar si i saktë, duke e cilësuar si “spekulim”.
Takimi i së dielës pritet të jetë vendimtar, pasi më 1 gusht përfundon pezullimi i përkohshëm i vendosur nga Uashingtoni mbi tarifat doganore dhe pritet që të hyjnë në fuqi taksa të reja deri në 30%.
Rreziku i një përshkallëzimi të luftës tregtare mes dy fuqive ekonomike ka alarmuar bizneset në të dy kontinentet, të cilat i druhen kostove të larta dhe trazirave në zinxhirët e furnizimit.
Analistët presin që takimi në Skoci të shërbejë si një moment kyç për të rikthyer besimin në bashkëpunimin transatlantik dhe për të shmangur një përplasje të dëmshme ekonomike në prag të një periudhe të ndjeshme politike në të dyja anët e Atlantikut.


