Takim i rëndësishëm në Uashington DC: Drejtori i Burgjeve Klevis Qose diskutohet për avancimin e sistemit korrektiv shqiptar me ICITAP

Drejtori i Burgjeve, Klevis Qose, ka zhvilluar një takim me kreun e ICITAP (Programi Ndërkombëtar i Trajnimeve dhe Asistencës në Çështje Korrektuese), Gregory Ducot, ku u diskutuan arritjet dhe avancimet e programit që po implementohet në sistemin e burgjeve në Shqipëri.

Gjatë këtij takimi, u theksuan edhe projektet e reja që synojnë të ofrojnë mbështetje të vazhdueshme në fushat e sigurisë, rehabilitimit dhe riintegrimit.

Në këtë vizitë, Klevis Qose, së bashku me Drejtorin e Inteligjencës Korrektuese, Edlir Ajazi, u takuan gjithashtu me Errol Etting, Drejtor Ekzekutiv i Divizionit të Inteligjencës dhe Hetimeve të Departamentit të Sigurisë Publike dhe Shërbimeve Korrektuese në Maryland. Ky takim ka për qëllim shkëmbimin e ekspertizës dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e menaxhimit korrektiv.

Delegacioni i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të Shqipërisë (GDPA) ishte pjesë e një vizite studimore të organizuar nga ICITAP, e cila përfshinte gjithashtu pjesëmarrjen në Konferencën Dimërore të Shoqatës Korrektuese Amerikane që u zhvillua në Orlando, Florida. Ky aktivitet ofroi mundësinë për të mësuar nga praktikat më të mira dhe për të ndarë përvojat ndërkombëtare.

Vizita është pjesë e një programi më të gjerë të mbështetjes financiare nga ICITAP për Njësinë e Inteligjencës Korrektuese në DPPM, një partneritet që mbështetet nga Departamenti i Drejtësisë dhe Departamenti i Shtetit të SHBA. Ky program është i fokusuar në përmirësimin e kapaciteteve të sistemit shqiptar të burgjeve dhe korrektimeve.

Gjatë aktivitetit, u diskutuan disa tema të rëndësishme, përfshirë sigurinë në burgje, zhvillimin e programeve rehabilituese, përdorimin e teknologjisë informative dhe menaxhimin e institucioneve korrektuese. Ky bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë është një hap tjetër drejt modernizimit dhe forcimit të sistemit të burgjeve shqiptar, duke e bërë atë më efikas dhe të sigurt.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera