Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka dorëzuar në Kuvend një nismë ligjore që synon të njohë zyrtarisht si punë të papaguar angazhimin e nënave që kujdesen me kohë të plotë për fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit, sindromën Down apo aftësi të tjera të kufizuara që u pamundësojnë pavarësinë.
Në një deklaratë për mediat, Tabaku tha se gjatë vitit të fundit ka takuar dhjetëra familje që përballen me sfida të mëdha në përkujdesjen ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta. Shumë nëna, theksoi ajo, janë detyruar të lënë punën dhe karrierën për t’u përkushtuar plotësisht fëmijëve të tyre.
“Kjo është punë e papaguar. Është sakrificë dhe përgjegjësi. Por është edhe një standard që shteti duhet ta njohë,” u shpreh Tabaku.
Sipas saj, nisma ligjore parashikon që ky angazhim të njihet si kontribut i vërtetë, duke siguruar mbështetje financiare nga buxheti i shtetit. Ajo theksoi se kostoja për buxhetin është minimale dhe lehtësisht e përballueshme, sidomos krahasuar me projekte të tjera publike me ndikim më të vogël social.
Tabaku u bëri thirrje organizatave të shoqërisë civile, profesionistëve dhe familjeve që të kontribuojnë me propozime për plotësimin e nismës. “Është momenti të vendosim një standard njerëzor për këto familje dhe këto nëna të jashtëzakonshme,” tha ajo, duke shprehur besim se Kuvendi do ta trajtojë me seriozitet propozimin.


