Tabaku: Ekonomia shqiptare në rrënojat e taksave të larta dhe privilegjeve për pakicën

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar ashpër politikën ekonomike të qeverisë shqiptare, duke theksuar se ky model ka çuar në një ekonomi të rrënuar, që favorizon pakicën në dëm të shumicës. Ajo nënvizon se Shqipëria ka një sistem fiskal ndër më të rëndët në rajon, ku taksat janë më të larta se ato të vendeve fqinje, duke rënduar barrën mbi qytetarët dhe duke ndihmuar privilegjet për një grusht të vogël njerëzish.

“Sot, 95% e qytetarëve paguajnë taksa, por marrin më pak shërbime. Një pakicë e privilegjuar përfiton përjashtime fiskale dhe kontrata publike,” tha Tabaku në një intervistë. Ajo theksoi se Shqipëria ka një normë të lartë TVSH-je prej 20%, më të lartë se Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi, të cilat kanë norma më të ulëta dhe përjashtime për shumicën e qytetarëve.

Tabaku vuri në dukje gjithashtu se ekonomia shqiptare po përjeton një periudhë të rënie, me një pagë minimale prej vetëm 2.27 euro për orë dhe një tkurrje të industrisë dhe sektorit të bujqësisë. Sektori industrial pati një rënie prej 30% vitin e kaluar, ndërsa eksportet bujqësore ranë me 28-29%. “Kjo është një ekonomi që po vdes,” tha Tabaku, duke theksuar se bizneset janë të frenuara nga taksat e larta dhe përjashtimet që favorizojnë klientelën.

Partia Demokratike, sipas Tabakut, ka një plan të qartë për ndryshimin e situatës. Ky plan përfshin një sistem të ri fiskal me taksa të ulëta dhe të drejta, duke përfshirë një taksë të sheshtë prej 10% për të nxitur investimet, rritjen e pagave dhe formalizimin e ekonomisë. “Kjo do të krijojë më shumë vende pune dhe do të lehtësojë barrën mbi bizneset dhe qytetarët,” shpjegoi Tabaku.

Një tjetër nismë e rëndësishme është zvogëlimi i TVSH-së për produktet bazë dhe energjinë, për të mbështetur konsumatorët dhe për të nxitur blerjet. Për më tepër, PD propozon mbështetje për sektorët prodhues si bujqësia dhe industria, të cilat aktualisht janë në krizë, duke ofruar politika fiskale të favorshme dhe ulje taksash.

Një tjetër prioritet i PD-së është lufta kundër informalitetit dhe krijimi i një tregu më të drejtë dhe konkurrues. Ajo synon të eliminojë përjashtimet fiskale që favorizojnë një grusht të vogël biznesesh dhe të krijojë mundësi për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme. “Koncesionet dhe përjashtimet fiskale për pakicën duhet të eliminohen për të rikthyer barazinë dhe për të hapur mundësi për të gjithë,” theksoi Tabaku.

Në fund, deputetja kërkoi një ndryshim të thellë në mënyrën se si funksionon ekonomia shqiptare, duke deklaruar se vetëm përmes një sistemi të drejtë fiskal dhe një klimë të favorshme për biznesin, mund të arrihet zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët. Ajo e mbylli mesazhin e saj me thirrjen për një ndryshim të menjëhershëm në politikat e qeverisë dhe kthimin e fokusi te shumica e ndershme e shqiptarëve.

Ndaj Postimin: