Sulo Halili u vra dhe më pas u dogj brenda makinës, flet babai: “Kishte një martesë problematike.”

Mbetet ende mister vrasja e 27-vjeçarit shqiptar Sulo Halili, me origjinë nga Beçishti i Tepelenës. I riu u qëllua me armë zjarri përpara se trupit t’i vendosej flaka brenda një automjeti, i cili u gjet i shkrumbuar në Greqi.

Lidhja jashtëmartesore që ai kishte krijuar me një vajzë, me të cilën komunikonte në rrjetet sociale, është një nga pistat e hetimit, pasi mësohet se ishte kërcënuar nga ish-partneri i saj.

Tezja e viktimës ka deklaruar se i vetmi person me të cilin 27-vjeçari kishte konflikte ishte një shtetas grek, ish-i dashuri i vajzës me të cilën Sulo Halili kishte krijuar një romancë.

Por mënyra se si u vra i riu tregon se krimi është kryer nga persona që e kishin planifikuar eliminimin e tij prej kohësh dhe e dinin saktësisht si të mbulonin gjurmët. 27-vjeçari, punëtor ndërtimi dhe banues në Halkida, para se të zhdukej u kishte thënë të afërmve se do të shkonte në Tebë me një mik. Ai e la mikun në Tebë dhe i tha se do të shkonte në Vilia të Atikës për një punë. Dy ditë pas zhdukjes, makina e tij u gjet e braktisur. 27-vjeçari ishte i martuar dhe madje e telefonoi gruan sapo mbërriti, për ta njoftuar.

Sipas raportit mjeko-ligjor, viktima u qëllua të paktën me një plumb përpara se trupi t’i digjej brenda automjetit. Vrasësit nuk lanë asnjë gjurmë. Ata përdorën një makinë të vjedhur me targa të rreme, të cilat korrespondonin me një automjet identik.

Në emisionin “Me Zemër të Hapur”, babai i Sulo Halilit ka rrëfyer detaje nga ngjarja e rëndë.

“Më njoftoi nusja e djalit për ngjarjen. Ditën që u zhduk, djali shkoi të merrte patentën. Ishte me një shok të tij, më pas u ndanë. Kur shoku e telefonoi më vonë, telefoni i djalit dilte i fikur. Im bir nuk kishte konflikte me askënd. Askush nuk e ka kërcënuar, të paktën unë nuk kam dijeni. Ai ishte shumë i qetë, kishte gati 6-7 vite që jetonte në Greqi. I martuar kishte 4 vite. Martesa ishte pak problematike, por nuk di më shumë se cili ishte shkaku. Kanë 2 fëmijë të mitur. Trupi i djalit tim u identifikua vetëm falë ADN-së, pasi analizat u krahasuan me gjakun që dhashë unë”, u shpreh ai.

Ndaj Postimin: