Sulmi ndaj Mandi Aliaj-t ish shef i zjarrfikësve të Mallakastrës, dyshohet të ketë ndodhur për motive banale. Burime pranë policisë së Fierit, thanë se po verifikohen pamjet e kamerave të sigurisë në lokalin ku ndodhi ngjarja dhe bizneseve përreth për identifikimin e autorëve pasi vetë Aliaj deklaroi në polici se nuk i njihte autorët. Megjithatë hetuesit po verifikojnë mundësinë e një konflikti mes 37 vjeçarit dhe shtetasve të tjerë që frekuentojnë lokalin e Aliaj-t. Burimet thonë se mes ish shefit të zjarrfikësve dhe disa klientëve të lokalit të tij, ka ndodhur më herët një konflikt verbal që u pasua me sulmin fizik ndaj tij.
Mandi Aliaj u shkarkua nga detyra e përgjegjësit të zjarrfikësve në muajin korrik, pas një vale të gjatë zjarresh që nisën në qershor duke rrezikuar parkun Arkeologjik të Bylisit dhe vazhdoi përgjatë gjithë verës.