Katër persona janë arrestuar pas protestës së 28 shkurtit në Tiranë, gjatë së cilës u hodhën molotovë në drejtim të vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha, ku në atë moment ndodheshin shtatë artistë të huaj dhe tre anëtarë të stafit. Policia ka referuar materialet në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar edhe për deputetin Klevis Balliu.
Sipas Policisë, të arrestuarit janë Leonardo Marku, Robespier Dervishaj, Doris Rista dhe Sergei Rapo. Ata dyshohen për përfshirje në aktet e dhunës të regjistruara gjatë protestës së organizuar nga Partia Demokratike.
Autoritetet bëjnë me dije se ndaj deputetit Klevis Balliu janë referuar materiale për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, si dhe për shkelje të ligjit “Për Përgjegjësinë Penale të Personave Juridikë”. Sipas Policisë, kjo është hera e parë që materiale në lidhje me protesta të kësaj force politike referohen në SPAK.
Gjatë protestës u raportuan përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, veçanërisht përballë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe në zonën e ish-Bllokut, ku efektivët u goditën me gurë dhe sende të forta.
Një nga episodet më të rënda u shënua pranë vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha, e cila aktualisht funksionon si rezidencë artistike. Në momentin e hedhjes së molotovëve dhe mjeteve piroteknike, në godinë ndodheshin shtatë artistë dhe tre persona të stafit. Sipas të dhënave zyrtare, ata arritën të largohen pa lëndime.
Menjëherë pas përfundimit të protestës, Policia shoqëroi mbi dhjetë persona për verifikime, ndërsa hetimet për ngjarjet e regjistruara vijojnë.