Sulm me bombë në Pakistan: 11 minatorë të vdekur në Baloçistan

Një sulm i rëndë me bombë ka tronditur provincën jugperëndimore të Pakistanit, Baloçistan, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 11 minatorëve.

Shpërthimi goditi një kamionçinë që transportonte punëtorë të një miniere qymyri në distriktin Harnai, pranë kryeqytetit provincial, Quetta.

Sipas autoriteteve lokale, të paktën 8 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, disa prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike. “Numri i viktimave mund të rritet, pasi disa të lënduar janë në gjendje të rëndë”, deklaroi shefi i administratës lokale, Wali Kakar.

Dyshimet kryesore për këtë akt dhune bien mbi Ushtrinë Çlirimtare të Baloçistanit (UÇB), një grup militant që lufton për pavarësinë e rajonit nga Pakistani. Ky formacion gueril ka kryer shpesh sulme ndaj forcave shtetërore dhe industrive kryesore, përfshirë minierat.

Baloçistani, një provincë e pasur me burime natyrore, ka qenë prej kohësh një vatër tensioni midis qeverisë pakistaneze dhe grupeve separatiste. Minatorët dhe punëtorët e fushave të energjisë shpesh bëhen objektiv i sulmeve, pasi konsiderohen si përfaqësues të interesave qeveritare dhe të kompanive të huaja.

Ky nuk është sulmi i parë i përgjakshëm në rajon. Në tetor, një tjetër incident tragjik ndodhi kur persona të armatosur sulmuan një minierë qymyri, duke ekzekutuar të paktën 20 punëtorë.

Autoritetet pakistaneze kanë nisur një operacion për të gjetur përgjegjësit e sulmit të fundit, ndërsa siguria në zonat e pasura me burime natyrore mbetet një sfidë e madhe për qeverinë.

Ende nuk ka një reagim zyrtar nga UÇB, por sulmi ka rikthyer edhe një herë në vëmendje pasigurinë e punëtorëve të minierave në këtë rajon të trazuar.

Ndaj Postimin: