Sulm me armë në Gjykatën e Apelit Tiranë, vritet gjyqtari Astrit Kalaja dhe plagosen dy persona të tjerë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot kryeqytetin, ku gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja, humbi jetën pas një sulmi me armë në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë.

Sipas burimeve të para, autori i armatosur ka qëlluar drejt gjyqtarit Kalaja në rrethana ende të paqarta, duke shkaktuar panik mes punonjësve dhe qytetarëve të pranishëm.

Përveç viktimës, nga të shtënat kanë mbetur të plagosur edhe dy persona të tjerë, roli i të cilëve nuk është bërë ende i ditur. Të tre u transportuan me urgjencë drejt spitalit, ku gjyqtari Kalaja, për fat të keq, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Dy të plagosurit e tjerë, sipas burimeve spitalore, ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtim mjekësor nën kujdesin e stafit spitalor. Ndërkohë, autoritetet kanë rrethuar menjëherë zonën përreth godinës dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur motivet e sulmit.

Policia ka arritur të neutralizojë autorin Evis Shkëmbi nipin e palës së dëmtuar Gjon Shkëmbi, pak minuta pas ngjarjes dhe t’i sekuestrojë armën e zjarrit që ai përdori në atentat. Ai ndodhet aktualisht në pranga dhe po merret në pyetje nga hetuesit për të përcaktuar arsyet e këtij akti ekstrem.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në sistemin e drejtësisë dhe reagime të forta nga institucionet ligjore dhe politika, të cilat kanë dënuar aktin kriminal dhe kanë kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave.

Hetimet vijojnë me intensitet për të zbuluar nëse sulmi lidhet me detyrën e viktimës apo me çështje personale. Policia dhe Prokuroria e Tiranës kanë paralajmëruar një konferencë për shtyp për të dhënë detaje mbi ecurinë e hetimeve dhe identitetin e plotë të autorit.

Ndaj Postimin: