Sulm i papritur bletësh në Francë, dhjetëra të lënduar në Aurillac

Tufa e bletëve pickon kalimtarët për 30 minuta, 24 persona përfundojnë të plagosur, tre prej tyre në gjendje kritike

Një situatë e pazakontë dhe e frikshme ka ndodhur të dielën në mëngjes në qytetin Aurillac të Francës, ku një tufë bletësh ka sulmuar dhjetëra kalimtarë duke shkaktuar panik dhe lëndime të shumta.

Për rreth 30 minuta, qytetarët në qendër të qytetit u gjendën përballë një sulmi të papritur që rezultoi me 24 të plagosur. Tre prej tyre u dërguan menjëherë në spital në gjendje kritike, por më vonë u raportua se gjendja e tyre ka shfaqur përmirësim.

Ndër të lënduarit ishte edhe një 78-vjeçar i cili pësoi arrest kardiak dhe u rikthye në jetë përmes ndërhyrjes së shpejtë mjekësore. Autoritetet lokale kanë njoftuar se ai është jashtë rrezikut për jetën.

Zyrtarët vendas po hetojnë shkakun e këtij reagimi të dhunshëm nga bletët. Dyshohet se ngjarja mund të jetë shkaktuar nga ndërhyrja e grerëzave pranë një kosherjeje të instaluar më shumë se dhjetë vite më parë në çatinë e një hoteli.

Kryebashkiaku i Aurillac, Pierre Matonnier, deklaroi se ngjarja ishte jashtë çdo parashikimi dhe se po analizohen të gjitha rrethanat që mund të kenë provokuar agresivitetin e bletëve.

Përfaqësuesi i shërbimit zjarrfikës lokal, Michel Caillat, tha se në gjithë përvojën e tij nuk kishte përjetuar kurrë një situatë të tillë, duke e përshkruar si tronditëse për shkak të panikut dhe numrit të të plagosurve.

Zonat përreth vendngjarjes u izoluan përkohësisht, ndërsa autoritetet kanë nisur veprimet për të larguar kosheren dhe për të shmangur rrezikun e përsëritjes së incidenteve të tilla në të ardhmen.

Ndaj Postimin: