Derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit ka gjithmonë një impakt të veçantë në futbollin shqiptar, por këtë herë ndeshja ka një rëndësi edhe më të madhe, sidomos për Tiranën.
Xhevahir Sukaj, ish “bomberi” i Partizanit, shprehet i bindur se ky derbi është një sfidë jetike për ekipin e Tiranës, ndërsa konsideron Partizanin si favorit edhe për titullin kampion. Në një intervistë ekskluzive për News 24, Sukaj ka folur për shumë aspekte të këtij derbi, duke theksuar ndryshimet që ka pësuar futbolli shqiptar dhe rëndësinë e stadiumit të ri.
Sukaj e ka krahasuar këtë derbi me ato të dikurshmit, duke pohuar se ndonëse gjithmonë ka qenë një ndeshje e bukur, ajo tani nuk ka të njëjtën grintë si në vitet e kaluara. Ai ka përmendur se në kohën kur luante vetë, ndeshjet ishin më të ndezura, dhe kishte më shumë dëshirë për të fituar. Sipas tij, sot ka më shumë ndikim aspekti ekonomik dhe i biznesit, siç është edhe rasti i Partizanit, që ka shitur disa lojtarë në merkato.
Në lidhje me stadiumin “Arena e Demave”, Sukaj e ka konsideruar një avantazh për Partizanin, duke theksuar se edhe pse stadiumi është më i vogël, ai do të jetë plotë dhe do të krijojë një atmosferë më të ngrohtë dhe më motivuese për ekipin e kuq. “Më mirë pak tifozë dhe stadiumi të jetë plotë, se sa stadium i madh me vetëm 6000 vetë,” shprehet ai.
Sukaj, ndonëse e sheh Partizanin si favorit për këtë derbi, thekson se nuk mund të merren parasysh diferencat e mëdha në pikë mes të dyja skuadrave, pasi derbi ka gjithmonë një rëndësi speciale që e bën të paparashikueshëm. “Tirana do ta ketë këtë derbi për ‘jetë e vdekje’, ndërsa Partizani mund të ndalojë paksa, por gjithsesi është favorit”, tha ai.
Kur u pyet nëse Partizani mund të fitojë titullin kampion këtë vit, Sukaj shprehet i menduar. Ai mendon se Partizani është i dobësuar, por nuk beson se kjo do të ndikojë shumë, duke qenë se diferencat në kampionatin shqiptar janë të dukshme. Ai shpreson që Partizani të jetë një prej ekipeve që do të luftojë deri në fund për titullin, së bashku me Egnatian dhe Vllazninë.
Përfundimisht, Sukaj ka bërë një parashikim për këtë derbi, duke thënë se e sheh Partizanin si fitues të ndeshjes me një rezultat 1-0, duke e cilësuar Prekën si lojtari që mund të vendosë fitoren, pasi ai ka dhënë shumë përshtypje pozitive. Në lidhje me Vllazninë, Sukaj ka shprehur mbështetje për ekipin shkodran, duke shpresuar që ky të jetë viti i duhur për ta thyer “mallkimin” dhe të sjellin titullin kampion në Shkodër.
Sukaj ka theksuar se Vllaznia ka një ekip të fortë, me lojtarë si Balaj dhe Dodaj që mund të bëjnë diferencën, dhe për këtë arsye beson se ata janë një pretendues serioz për titullin. Ai gjithashtu u shpreh se shpreson që një nga dy ekipet, Vllaznia apo Partizani, të fitojnë titullin këtë sezon.