Suedia paralajmëron skenar të rrezikshëm në Baltik: Rusia mund të testojë NATO-n duke pushtuar…

Suedia po përgatitet për një skenar të mundshëm sigurie në të cilin Rusia mund të ndërmarrë një operacion të kufizuar detar për të testuar reagimin e NATO, ka deklaruar komandanti më i lartë ushtarak i vendit.

Sipas raportimeve të publikuara nga The Times  më 16 prill, Shefi i Mbrojtjes së Suedisë, Michael Claesson, ka paralajmëruar se Moska mund të kryejë një ndërhyrje të kufizuar në Detin Baltik “në çdo kohë”, me qëllim testimin e unitetit dhe reagimit të aleancës.

Nuk ka pse të jetë një operacion veçanërisht i madh, por më shumë për të dërguar një mesazh dhe për të parë se si do të reagojë situata politike,” është shprehur Claesson.

Zyrtarët evropianë të sigurisë kanë shprehur shqetësime në rritje për përshkallëzimin e situatës në Deti Baltik, ku Rusia ka shtuar aktivitetin e saj ushtarak, përfshirë shoqërimin e anijeve të ashtuquajtura të “flotës në hije” dhe përballjet me forcat detare të NATO-s.

Planifikimet ushtarake në vendet e aleancës tradicionalisht janë fokusuar në një sulm tokësor përgjatë krahut lindor, por tani skenarët detarë po marrin më shumë vëmendje. Në disa stërvitje ushtarake janë simuluar zbarkime në ishuj strategjikë si Gotland në Suedi, Bornholm në Danimarkë dhe Hiiumaa e Saaremaa në Estoni.

Megjithatë, Claesson ka theksuar se rreziku mund të vijë edhe nga ishuj më të vegjël dhe më pak të mbrojtur, duke vënë në dukje se në Baltik ndodhen mijëra ishuj të tillë.

Inteligjenca ushtarake suedeze paralajmëron se Rusia mund të jetë tashmë e aftë për sulme të kufizuara në rajon dhe se kapacitetet e saj mund të rriten në vitet në vijim. Sipas zyrtarëve, një përfundim i luftës në Ukrainë mund t’i japë Moskës mundësinë të rigrupojë forcat pranë kufijve të NATO-s.

Ndërkohë, tensionet në rajon janë shtuar edhe nga incidente të ndryshme në vitet e fundit, përfshirë shkelje të hapësirës ajrore nga avionë ushtarakë dhe aktivitete të lidhura me dronë në shtetet baltike si Estonia, Letonia dhe Lituania.

Shtetet baltike kanë forcuar gjithashtu mbrojtjen kufitare me Rusinë, përfshirë projektin e njohur si “Linja Baltike e Mbrojtjes”, i nisur në vitin 2024, si pjesë e rritjes së masave mbrojtëse në rajon.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033