Subvencionet për ujësjellësit mbeten prioritet, kompensim i drejtpërdrejtë për familjet në nevojë dhe faturat e energjisë

Ministria e Infrastrukturës miraton metodologjinë për shpërndarjen e fondeve dhe mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve gjatë vitit 2025

Ujësjellësit që përfitojnë subvencione nga buxheti i shtetit do të vazhdojnë të marrin mbështetje edhe për vitin 2025, sipas metodologjisë së re të miratuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ky dokument përcakton kriteret dhe procedurat për shpërndarjen dhe përdorimin e këtyre fondeve, me fokus të veçantë në kompensimin e familjeve në nevojë dhe në mbulimin e shpenzimeve për energjinë e ndërmarrjeve të ujësjellësit.

Fondet do të alokohen nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve sipas zërave të përcaktuar në ligjin e buxhetit vjetor, duke garantuar shpërndarjen e drejtë dhe në përputhje me planifikimin financiar. Subvencionet do të përfshijnë konsumatorët e kategorive të ndihmuara, të cilët marrin kompensim për sasinë minimale jetike të ujit të pijshëm, në përputhje me ligjin për asistencën sociale.

Familjet në nevojë do të kompensohen plotësisht për faturat deri në 5 metër kub ujë në muaj, duke përfshirë edhe tarifat fikse, kanalizimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura urbane. Kjo zbritje aplikohet automatikisht në faturën mujore të ujësjellësit, ndërsa kompensimi jepet vetëm një herë për familje, pavarësisht numrit të anëtarëve që mund të përfitojnë.

Një pjesë e subvencioneve do të dedikohet gjithashtu për mbulimin e faturave të energjisë elektrike të ndërmarrjeve të ujësjellësit që përdorin ngritje mekanike në më shumë se 75% të volumit të prodhimit. Kjo është një masë e nevojshme për të adresuar borxhet e shumta të këtyre ndërmarrjeve ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).

Në pesëmujorin e parë të vitit 2025, borxhet e ujësjellësve ndaj OSHEE-së u rritën në 33.3 miliardë lekë, duke reflektuar një rritje prej 8.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në vitin 2024, subvencionet e dhëna për këtë sektor arritën në rreth 3.5 milionë euro.

Kjo metodologji synon të sigurojë një mbështetje më të drejtë dhe efikase për familjet në nevojë dhe për ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve, duke parandaluar rritjen e çmimeve dhe duke mbajtur stabilitetin në sektorin e ujit dhe energjisë.

Ndaj Postimin: