Stuhitë godasin veriperëndimin e Italisë, moti i keq shkakton kaos në disa zona

Rajoni veriperëndimor i Italisë, Piemonte, është përfshirë në alarm të kuq pas një vale moti ekstrem që po godet Italinë, veçanërisht zonën veriore të vendit. Shirat e rrëmbyeshëm dhe erërat e forta kanë shkaktuar përmbytje dhe kanë krijuar kaos në disa zona, duke ndikuar rëndë në trafikun rrugor dhe hekurudhor.

Në Torino, autoritetet komunale morën masa paraprake duke mbyllur hyrjen në kalatat në lumin Po, ndërsa për shkak të ngritjes së nivelit të lumit Dora Baltea, u mbyll edhe autostrada A5 Torino-Aosta. Po ashtu, trafiku hekurudhor nga stacioni i trenit Biella u pezullua për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

Në disa pjesë të rajonit, reshjet intensive kanë shkaktuar rrëshqitje dhe përmbytje, duke detyruar ndërprerjen e trafikut në disa rrugë kryesore. Situata ka agravuar më tej pas shpalljes së alarmit të kuq, që paralajmëron për rrezik të lartë në shtatë luginat e Piemonte.

Moti i keq ka pasur ndikim të fortë edhe në qytetin e Milanos, ku parqet u mbyllën për shkak të shiut të dendur dhe erërave të forta. Në Romë, zjarrfikësja mori më shumë se 100 thirrje për ndihmë, për shkak të përmbytjeve dhe vështirësive që kanë hasur qytetarët për t’u lëvizur në zona të caktuara.

Për ditën e sotme, parashikohet që reshjet e shiut të jenë më të dendura, shoqëruar me erëra që mund të arrijnë shpejtësinë deri në 100 km/h. Sipas meteorologëve, moti i keq do të vijojë të ketë ndikim në pjesën më të madhe të rajonit, ndërsa përmirësimi i kushteve atmosferike pritet të ndodhë ditën e premte dhe të shtunën.

Për shkak të kushteve të vështira, autoritetet në zona të ndryshme të vendit kanë paralajmëruar për kujdes të shtuar dhe janë duke ndjekur me vëmendje situatën, duke marrë masa për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe të infrastrukturës.

Ndaj Postimin: