Një studim i kërkuar nga Parlamenti Evropian dhe i publikuar në fillim të vitit evidenton polarizimin e thellë politik në Shqipëri, duke theksuar se qeveria socialiste në pushtet pritet të fitojë gjerësisht zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Në raport përmendet se opozita karakterizohet nga dobësi të theksuara organizative, ndërsa mazhoranca ruan një pozicion të fuqishëm politik që nga viti 2013.
Studimi, i përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme për Politikat e Jashtme të Bashkimit Evropian, analizon rolin e parlamenteve në procesin e zgjerimit të BE-së. Ai nënvizon se Shqipëria është ndër vendet që duhet të përmbushin ende disa kritere kyçe për funksionimin efektiv të institucioneve demokratike. Pavarësisht hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE më 15 tetor të vitit të kaluar, raporti përshkruan përparimin e vendit si “të përzier” dhe vë në dukje sfida të theksuara në konsolidimin institucional.
Raporti kritikon se institucionet shtetërore në Shqipëri vazhdojnë të jenë të politizuara, ndërsa korrupsioni mbetet një problem i thellë. Mazhoranca parlamentare dominohet nga ekzekutivi, duke reduktuar hapësirën për debat dhe vendimmarrje të pavarur legjislative. Për më tepër, studimi përmend edhe tensionet e fundit mes parlamentit dhe Gjykatës Kushtetuese, duke ngritur dyshime mbi ndarjen e efektshme të pushteteve dhe sundimin e ligjit.
Një aspekt shqetësues i evidentuar në studim është largimi masiv i popullsisë, veçanërisht të rinjve dhe profesionistëve të arsimuar, gjë që pengon zhvillimin e një brezi të ri liderësh pro-europianë. Kjo zbrazje demografike shihet si një kërcënim afatgjatë për kapacitetet e vendit për të përmbushur reformat e nevojshme dhe për të ndërtuar një shtet të fortë demokratik.
Në të njëjtën kohë, raporti nënvizon edhe disa zhvillime pozitive, si një kulturë më e gjallë e shoqërisë civile, e cila shihet si një pikë shprese për përparimin demokratik. Aktivizmi dhe pjesëmarrja më e madhe nga qytetarët janë parë si faktorë që mund të kontribuojnë në përmirësimin e klimës politike në vend.
Sidoqoftë, studimi paralajmëron se pa kapërcimin e sfidave strukturore si kapja e shtetit, korrupsioni dhe mungesa e ndarjes së pushteteve, Shqipëria do të vazhdojë të përballet me vështirësi për një transformim të plotë demokratik. Autorët e raportit theksojnë nevojën për reformat e thella dhe për krijimin e një sistemi të qëndrueshëm institucional.
Studimi, i bazuar në mbi 90 intervista me ekspertë dhe palë të interesuara, ofron një analizë të hollësishme mbi gjendjen aktuale politike në Shqipëri dhe rajon. Në përfundim, dokumenti vlerëson se reformat dhe integrimi europian kërkojnë përkushtim të vazhdueshëm, në mënyrë që Shqipëria të kapërcejë pengesat e shumta që ka përpara.