Të dhënat e studimeve mjekësore në Gjermani tregojnë një rritje të ndjeshme të rasteve të psikozave të lidhura me kanabisin, pas hyrjes në fuqi të legalizimit të tij për përdorim personal më 1 prill 2024.
Sipas një analize të publikuar në “Deutsches Ärzteblatt”, shtrimet spitalore për psikoza të shkaktuara nga kanabisi në qarkun Schwaben janë rritur ndjeshëm krahasuar me periudhën para legalizimit. Studimi ka analizuar të dhënat e periudhës 2022–2025 dhe ka përfshirë pacientë mbi 18 vjeç me diagnoza të lidhura drejtpërdrejt me përdorimin e kanabisit dhe çrregullime psikotike.
Rezultatet tregojnë se pas legalizimit, numri i pacientëve të shtruar me psikoza të shkaktuara nga kanabisi është thuajse dyfishuar. Ky zhvillim ka rikthyer në vëmendje paralajmërimet e shoqatave mjekësore, të cilat prej vitesh kanë theksuar rreziqet e konsumit, veçanërisht te të rinjtë.
Sipas mjekëve, truri nuk është plotësisht i zhvilluar deri në mesin e të njëzetave, çka rrit rrezikun e çrregullimeve mendore nga konsumimi i kanabisit në moshë të re. Për këtë arsye, disa shoqata kanë kërkuar që përdorimi i kanabisit të lejohet vetëm për personat mbi 21 vjeç.
Studime të tjera evropiane dhe ndërkombëtare kanë evidentuar gjithashtu se meshkujt e rinj janë më të prekur nga skizofrenia e lidhur me kanabisin, ndërsa përdorimi i lartë dhe afatgjatë i kësaj substance është lidhur edhe me rrezik më të shtuar për zhvillimin e demencës në moshë më të vonshme.