Reperi i njohur Stresi ka qenë i ftuar në emisionin “Live From Tirana”, ku ka diskutuar për projektet e tij të reja, mendimet mbi fillimin e vitit të ri, dhe për çështje që kanë ndezur debatet në rrjet.
Mes të tjerash, ai reagoi ndaj deklaratës së Bernardit në “Big Brother VIP”, ku ky i fundit pranoi publikisht orientimin e tij seksual.
Duke folur për pjesëmarrësit e shtëpisë më të famshme në Shqipëri, Stresi ndau opinionet e tij për disa prej tyre dhe se si do të vepronte po të ishte pjesë e këtij edicioni.
Për Rozanën, reperi theksoi se do të mbështeste gjithmonë femrat dhe e quajti të gabuar gjykimin mbi të kaluarën e një gruaje. “Si mund të flasësh për të kaluarën e një femre? Do u kisha dalë në mbrojtje, por jo padrejtësisht,” deklaroi ai.
Në një moment ironik, Stresi i bëri një koment thumbues Laert Vasili, duke e cilësuar si një “patriot” që, sipas tij, “pi dy gota verë dhe fillon të flasë greqisht”.
Më tej, reperi foli edhe për disa prej banoreve të tjera. Ai e përshkroi Eglin si një vajzë të mirë dhe të kulturuar, ndërsa për Gerta Gixharin tha se është një vajzë që di të artikulojë dhe e cilësoi si çapkëne. Për Amber Candy, Stresi theksoi se nuk besonte se do të kishte debate me të dhe se do ta shmangte nëse do të ishte pjesë e shtëpisë.
Duke komentuar Valbona Mhillin, ai përmendi se kishte njohur një tjetër Valbona jashtë shtëpisë dhe e përshkroi atë si një person të sjellshëm dhe të kulturuar. Ndërsa për G-Bani, Stresi e quajti një djalë të drejtë, por që, sipas tij, duhet të shfaqë më shumë dimensione të personalitetit të tij.
Kur u pyet për vajzat që ndodhen në shtëpi, reperi tha se asnjë prej tyre nuk është në shijet e tij dhe bëri thirrje për “vajza më të bukura” që mund të jenë pjesë e edicioneve të ardhshme të “Big Brother VIP”.
Në fund, Stresi sqaroi se nuk ka pasur asnjë flirt apo marrëdhënie intime me ndonjë prej banoreve dhe nënvizoi se është një djalë fisnik. “Jam një djalë që di t’i ndaloj epshet,” tha ai, duke shtuar se nuk do ta falte veten për një veprim që do të binte ndesh me parimet e tij.
Këto deklarata të Stresit kanë ngjallur reagime të shumta në rrjet, duke nxitur diskutime mbi qëndrimet e tij dhe mënyrën si e sheh ai dinamikën brenda shtëpisë së “Big Brother VIP”.