Vettingu e shkarkoi nga detyra për kontakte me njerëz të botës së krimit, gjyqtari Shkëlzen Selimi fiton gjyqin në Strasburg.
Gjykata e Strasburgut ka rrëzuar vendimin e Vettingut në Shqipëri për të shkarkuar nga sistemi i drejtësisë gjyqtarin Shkëlzen Selimi.
Gjashtë vite më parë, dy shkallët e Vettingut vlerësuan se gjyqtari i Gjykatës së Lartë duhej të shkarkohej nga detyra pasi kishte kontakte të papërshtatshme me njerëz të botës së krimit.
Gjetja e vëzhguesit ndërkombëtar të ONM ka zbuluar se gjyqtari Selimi ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me A. I., për të cilin gjyqtari ka ndërhyrë në vitin 2015 për të ndaluar ekstradimin e tij në Itali.
Ky shtetas, sipas zbulimeve të ONM, rezulton i dënuar për grup kriminal dhe trafik kokaine.
Gjyqtari Selimi e ndoqi çështjen deri në Strasburg, ku përmes një vendimi të publikuar ditën e sotme, kjo gjykatë ka njoftuar pranimin e padisë.
Sipas Strasburgut, “gjyqtari Shkëlzen Selimi nuk u informua mjaftueshëm për akuzat konkrete kundër tij – autoritetet e vettingut nuk i zbuluan detajet thelbësore të provave sekrete që pretendonin se ai kishte kontakte të papërshtatshme me A. I. (person i përfshirë në krimin e organizuar) dhe se kishte ushtruar korrupsion pasiv dhe ndikim të paligjshëm për të penguar ekstradimin e tij”.
Gjykata konstatoi shkelje të nenit 6/1 të Konventës (e drejta për proces të drejtë) sepse IQC dhe SAC mbështetën shkarkimin e Selimit në dokumente të klasifikuara dhe raporte nga ONM dhe CISD që nuk iu treguan atij, duke e lënë praktikisht të pamundur që të mbrojë veten ndaj akuzave serioze për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.
Gjykata vendosi se kufizimi i aksesit të Selimit në provat kundër tij shkeli thelbin e të drejtave të tij procedurale – edhe pse organet e vettingut kishin akses të plotë në dokumentet sekrete, mungesa e masave kompensuese (si zbulimi i përmbledhjes së fakteve thelbësore, seancat ex parte me përfaqësues special, apo redaktimi i informacionit sensitiv) e bëri procesin të padrejtë në rrethanat e këtij rasti specifik.


