Statusi i minatorit, mazhoranca rrëzon draftin e Tabakut

Mazhoranca ka bllokuar në dy komisione parlamentare projektligjin e propozuar nga deputetja demokrate Jorida Tabaku për statusin e minatorit, duke e konsideruar nismën të papërballueshme financiarisht.

Projektligji synonte trajtim të veçantë për minatorët, përfshirë pension të parakohshëm, pension suplementar më të lartë, kompensim të plotë në rast aksidenti dhe pension familjar në rast humbjeje jete. Sipas përllogaritjeve zyrtare, kostoja vjetore do të ishte 1.2 miliardë lekë.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, e kundërshtoi hapur nismën, duke deklaruar se skema universale e pensioneve është tashmë e mbingarkuar dhe mbahet në këmbë nga buxheti i shtetit.

“Shtetet që kanë statuse të posaçme për kategori të caktuara kanë financa të konsoliduara. Ne jemi ekonomi në zhvillim”, argumentoi Manja, duke shtuar se skemat me statuse krijojnë “oaze preferenciale” dhe disbalanca mes grupeve shoqërore.

Jorida Tabaku reagoi duke kërkuar që ligji të mos rrëzohej, por të rishikohej përmes konsultimeve me sindikatat dhe aktorët e sektorit. Ajo theksoi se minatorët kanë protestuar për më shumë se një vit dhe se diferencimi i pagave në miniera, sipas saj, është “i turpshëm”.

Edhe deputeti Erion Braçe, në debatet e mëparshme për çështje sociale, ka theksuar se skemat aktuale nuk e trajtojnë në mënyrë të drejtë punën e vështirë dhe të rrezikshme të minatorëve.

Pavarësisht përplasjeve, mazhoranca votoi kundër dhe e rrëzoi projektligjin, duke e lënë statusin e minatorit jashtë axhendës ligjore për momentin.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033