Vllaznia mbylli sezonin 2024-25 pa fituar titullin kampion, por skuadra shkodrane ka konfirmuar me rezultate se mbetet ndër ekipet më të forta të kampionatit, sidomos në përballjet me skuadrat kryesore të Superiores.
Pavarësisht se nuk arriti të ngrejë trofeun këtë sezon, Vllaznia ka treguar me lojën dhe statistikat se është një ndër skuadrat më të konsoliduara të edicionit. Në ndeshjet direkte me rivalët për titull, ekipi kuqeblu ka pasur bilanc pozitiv, veçanërisht përballë kampionëve të Egnatias.
Në katër sfida ndaj Egnatias, Vllaznia regjistroi një fitore të rëndësishme 3-1, dy barazime 1-1 dhe 2-2, si dhe një humbje 0-2 në Shkodër. Këto rezultate vërtetojnë se diferenca e madhe në finalen 4-0 për Egnatian nuk reflekton realisht balancën e forcave gjatë sezonit.
Ndaj Dinamos, Vllaznia u përball me sfida të vështira, duke pësuar dy humbje me rezultatet 2-1 dhe 2-3, por edhe duke arritur një fitore bindëse 3-0 dhe një barazim pa gola, duke ruajtur rivalitetin me kryeqytetasit.
Në duelet me Partizanin, skuadra shkodrane shënoi dy fitore të rëndësishme 0-1 dhe 2-0, si dhe një barazim 2-2. Ndërkohë, Partizani fitoi vetëm një herë, me shifrat 2-0, çka tregon epërsinë e Vllaznisë në këtë përballje.
Edhe kundër Elbasanit, një prej skuadrave më të forta të sezonit, Vllaznia arriti tre barazime radhazi (0-0, 1-1 dhe 1-1), si dhe një fitore në transfertë 1-2, duke dëshmuar se ka qenë një rival i denjë për çdo kundërshtar.
Përfundimisht, pavarësisht se titulli mungoi sërish në Shkodër, Vllaznia nuk ka “vuajtur” ndaj ekipeve më të forta, duke treguar një nivel të lartë gare dhe stabilitet në sfidat vendimtare. Statistikat e sezonit e vendosin skuadrën shkodrane ndër më të mirat, pavarësisht rezultatit të finales.